Trajneri dhe analisti, Ismet Munishi, ka thënë se epilogu real i ndeshjes mes Prishtinës dhe Ballkanit ishte rezultati i barabartë
Ismet Munishi ka thënë në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini se sonte skuadra nga kryeqyteti pati një paraqitje shumë të mirë.
Sipas tij, Prishtina në pjesën e parë ishte një nivel më lartë se Ballkani.
”Mua më pëlqeu sot Prishtina shumë. Ndeshja ishte një shfaqje fantastike. Në pjesën e parë mund të them se Prishtina ishte një nivel më lartë se Ballkani. Goli i Nazmi Gripshit ishte mjeshtëri e lojtarit. Ndërsa, Prishtina i pati dy-tri raste që falë Enea Koliçit, që është një super portier dhe është përforcimi më i madh i Ballkanit. Ndoshta, epilogu real mund të them se është barazimi. Në pjesën e dytë ndeshja ishte si e barabartë,” tha Munishi.
Gjithashtu, trajneri i mirënjohur kishte fjalë të mëdha për tifogrupin ‘Plisat’, duke thënë se janë krenaria e kombit shqiptar.
”As në Premier League nuk ka kështu për besë. Atmosferë fantastike nga ‘Plisat’, këta janë krenaria e kombit shqiptar, jo vetëm e Prishtinës,” tha Munishi.
