Saturday, December 27, 2025

Hamit Taka-MUZA

MUZA

Mbrëmë fjeta në shtratin e vjetër,
Në shtratin e gjyshit prej lisi.
Tej natës as zgjuar as fjetur
Duke gjegjur këngët e lashta të fisit.


Brenda meje jehona kish mbetur,
U gdhiva me flatra frymëzimi,
Fluturova tej mbi arat me thekër,
Nëpër portat me harqe rubini;


Më shmang nëpër bare, hotele,
Nëpër vila luksoze dhe sallone,
Ku shpirtin dhe muzën rebele
Ta marrin për dore si kone;


Më shpie ajo në viset e kaltra,
Në shtigjet e fshatit ku linda,
Ku mbolla ëndërrat e qashtra
Po syzezën dot nuk e binda;


Pas gjurmëve më shpie, pas shpurës,
Ku malli i cigankës është tretur
Kur këndonin sëbashku ndanë urës
Me zërin e njomësht, të mekur;


Më çon nëpër shtigjet e fshehta,
Kullotave alpine, lart në çair,
Ku drerët e hipur mbi kreshta
Hënën e godasin me brirë;


Enkas më shpie në gurore
Me diellin për dore buzë mbrëmjes,
Ku me shpirt babai ka gdhendur
Mermerin e varrit të nënës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT