O fisnik përmbi fisnikë
Kushtuar poetit dhe krijuesit të 2000 teksteve të këngëve Gjokë Beci
Po ku ka si ti, o Shqipëria ime
O fisnikja përmbi gur
Rrjedh në këngë e ligjërime
Ballëlarta me flamur
Gjokë Beci
Për atë peng që kishe, Mjeshtër
Gojë më gojë ta thotë Mirdita.
Si mëndafshi që vesh mbretër
Kishe vargun me shtatë drita.
Gurgullon në shpirt të kombit
Fjalëbekuar si shtizë zemre
Kur na vjen vikamë e mortit
Ti na sjell fllade pranvere.
Kërkojmë hir nga xhamadani
Mbi plis koke vika deti
Fjala jote bajrak mali
Zëfisniku, o Gjokë Beci.
Gjeneral i Mençurisë
Gjokskollitur-o nga koha
Ia zgjon tingujt rapsodisë
Sjell kujtime nëpër oda.
Zgjon sharkitë dhe tupanat,
Kur në pragje vrullon dita.
Kryekryshku që nis dasmat
Prijatari, o Gjokë Beci.
O fisnik përmbi fisnikë
O eshtak me zemër stërralli.
T’u baftë kanga si filizë
O zambak në gurë mali!
Po rreh telat çiftelia
Si një urë që bashkon brigje
Sup më sup vjen shqiptaria
Pasuri e Pasurive.
Pjergullo-o në degë lisi
Një këmbanë që këmbanon.
Mos u thaftë ai ujë burimi
Që si shqipja ligjëron!
