BallinaVitrina e libritGabriela Mujaj-KA MOT QË S'JEM PA

Gabriela Mujaj-KA MOT QË S’JEM PA

Ka mot që s’jem pa,
plot tri mijë e shtatëqind vjet!

Ndërkohë, asht krijue nji botë e re.
Gratë veshin pantallona,
ka burra që veshin funde,
fëmijë që mësojnë turravrap,
pleq që marrohen shpejt…

Koha e letrave ka ikë,
e trenat janë kaq modernë sa
nuk më frymzojnë me shkrue.

U ba mot që s’jem pa,
plot tri mijë e shtatëqind vjet
shkuen!
Çka s’ka ndodhë qysh atëherë,
por asgja e re, pa marak!

Kanë lindë shumë
fe, parti, lidera, shejtën, moda,
por veç dashnia jet` e njajtë.
E dhimbshme deri n’bukuri,
e bukur deri n’dhimbë.

Homeri ka shkrue Iliadën,
asht shkrue Shkrimi i Shenjtë,
Agustini Rrëfimet.

Dante ka shkrue Të Hyjnores Komedi,
Dostojevski Idiotin,
Tolstoi Ana Kareninën,
Hygoi Të mjerët,
Neruda vargjet e tij të trishta,
Pushkini Onjeginin,
Buzuku Mesharin,
Bogdani Çetën e profetëve.

Martini vargjet e pavdekshme,
At` Gjergji Lahutën e patretshme,
por gjana pa randësi…
E njajta ka mbetë
dashnia, deka, lindja, dhimba, andrra.

Ka mot që s’jem pa,
aq sa ia kam harrue fytyrën vetit.
Plot tri mijë e shtatëqind vjet!

Kurgja s’asht koha,
e koha asht gjithshka!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT