Friday, December 26, 2025
BallinaVitrina e libritCicërime poetike nga poetja Taena Mata

Cicërime poetike nga poetja Taena Mata

Pashë në qytetin tim të bukur,
njerëz zemërlënduar,
Me sy të qelqtë, si peshqit zënë në grep,
që ngjallnin dhimbje.
I pashë si gurë të rënduar,
tek qëndronin radhëve në pritje për pensionet…
Pensione u thënçin, pensione m…


Të raskapitur, të ngadaltë, të tensionuar burra e gra të moshuar,
Ulur nëpër stolat e rrugëve a shkallët e dyqaneve,
(ende te pahapura),
apo duke qëndruar edhe mbi këmbët e tyre
të plakura,
të lodhura,
të dridhura,
thithnin helmin e cigareve dhe prisnin me orë të tëra,
për ato para të pakta dhe qesharake,
(që çuditerisht shtyjnë muajin).


Së shumti paratë në sportele mbarojnë dhe ca syresh,
të nesërmen që pa gdhirë,
duhet të zënë nje radhë të re …
Ata vijnë sërisht dhe ndihen të përdorur,
ndihen të sosur
tek gëzimi i gjërave të çbëra.
Njerëz që ngjajnë me përrallat e përhumbura,
Me refrene këngësh të harruara,
Me fjalë që i merr era,
Me toka të shkallmuara mbuluar me djerrina…


Dhe ata pranojnë gjithçka në heshtje,
Shpesh me një buzëqeshje që shkakton dhëmbje,


Notat e pikëllimit brenda shpirtit tim lartësohen në ekstrem,
tek i shoh ashtu
si dele të përhumbura…të nënshtruara.

Qytetin tim çdo mëngjes e zgjuan
kënga e guguftuve…
Mesa duket qajnë për bijtë që largohen.
Ti del nëpër rrugët e tij
Dhe melodia e tyre disi tronditëse
Disi vajtuese
Të shoqëron hap pas hapi
Bashkë me aromën e tmerrshme të pucetave të m…
Në qytetin tim të bukur
Lëvizin në liri të plotë qentë e rrugëve
ata lehin, zihen,
ndihen zot te vendit
dhe ja
papritur sulmojnë një grua afër të shtatëdhjetave,
i ngulin dhëmbët ku të munden,
Ajo bie për tokë e thyen edhe dorën
Në qytetin tim të vogël
në çdo kohë
sheh më shume vetura se sa njerëz…
Vetura që lëvizin me shpejtësi skëtere, bashkë
me zhurmën dhe tymin e zi helmues që lëshojnë kur shtypet pedali i gazit.
Nuk mbetet pas gjëmimi i çmendur i motorrave,
që tremb e
të bën të hidhesh përpjetë.
Ajri dikur i pastër i qytetit
nuk është më i pastër…
Në qytetin tim të pasur në burime uji të pijshëm,
kushedi sa metër kub ujë derdhen ne det,
ndërsa
banorët e tij ende marrin ujë veç tre katër orë në ditë… dhe jemi
në shekullin e njezet e një.
Në qytetin tim sheh meshkuj midis tyre pleq me flokë të bardhë
të ngulin sytë të uritur, kruhen e lëpihen neveritshëm…
Qytetit tim nuk i mungojnë kazanët e mëdhenj të plehrave
vendosur nëpër rrugët e bukura me pemë e lule,
rrethuar nga plehrat e shumta hedhur gjithandej shesheve.
Po deti im…
Deti i kaltër i qytetit tim, nuk është më kristal si njëherë e një kohë,
Çdo ditë shoh anije që zbrazin barkun e tyre në gjirin e tij,
paharruar ujerat e zeza qe derdhen aty,
një erë e padurueshme shpërndahet
e të merr frymën,
dhe mbi sipërfaqen e tij sheh papastërti
uniforme apo të grupuara,
në trajtë shkume e fluckash që pluskojnë.
Ne të dy;
qyteti im dhe unë
le të kalojmë ca kohë së bashku,
ja ashtu
mes së mirës dhe së keqes
dhe unë bija jote gjithmonë brenda teje
dua të shoh tek ty dhe bijtë e tu,
një frymëmarrje të re mendimi,
Dua të zhytem deri në thelbin më ekstrem të së mirës dhe së keqes
dhe të zbuloj një forcë të re,
dua që ti të çohesh lartësive.
Gjithsesi,
të dua o qyteti im i dashur,
VLORA IME E SHTRENJTË !!!

Ajo nuk ishte vetëm,
por ishte e vetmuar,
brenda saj molekulat e vetmisë
e brenin gjer në kockë…
zemra i ngushtohej,
shtrydhej zemra e lënduar
dhe pikonte lot…
venitur vështrimin,
shteruar forcat,
i fikur mendimi,
i sosur durimi…
Pesha molekulare e vetmisë
e rëndë plumb,
si një mal i madh, i heshtur, hijerënd
aq,
sa nuk të lejon të perceptosh
gjithë dritën që mund të shohësh.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT