Friday, November 22, 2024
BallinaVitrina e libritVioleta Kadriu-PËR DITËLINDJEN TIME

Violeta Kadriu-PËR DITËLINDJEN TIME

PËR DITËLINDJEN TIME

Sot ndoshta fitova ndokund ndonjë rrudhë,
ndoshta flokëve të mi u thotë ” Mirëse ju gjej” ndonjë thinjë,
vitet e mia rrjedhin, as sot nuk ndalin udhë,
edhe pse ende ruaj buzën e kuqe e ndrij sytë e mi të zinj!


Me këtë datë, para shumë vitesh, pse erdha n’ këtë botë qava e qesha,
për herë të parë dorë e nënës, në djep më përkundi,
shumë njerëz, të mirë e të këqinj, gjatë këtyre viteve ndesha,
pa e kuptuar se hidhërimeve e gëzimeve, me vite nuk po u ardhka fundi!


Shumë herët, në vegjëli, me mallë të thërrisja ” Babë” mbeta,
shoqeve, shokëve kur thërrisnin këtë emër, ah, sa lakmi iu mora,
me këtë mallë të pashuar, prapë më hidhëroi e qeshi jeta,
edhe pse shumë të mira i lash t’ më iknin nga dora!


U shpërbleva nga jeta me tre vëllezër e tri motra,
që më ndrijnë si yjet, edhe pse larg n’ gurbet,
sa herë kthehen, si dallëndyshet, oh, si na qeshet votra,
nga të qeshurat e lumturia, mbushim plot një det!


Ma kanë ngrohur e ma ngrohin shpirtin katër filiza të mi,
cicërimat e tyre kur më kanë lindur, si sot i kam në kokë,
asnjë çast të jetës sime nuk ngihem zërin duke ua ndi,
prandaj e quaj veten “femra më e lumtur në tokë”!


Dita të dashuroj n’ këto vite, me shumë afsh e zjarr,
kuptova se dashuria e pastër, s’ blihet as shitet me para,
iu dorëzova njeriut të zemrës, nganjëherë si e marrë,
se ai që s’ diti të dashurojë, në shpirt mbeti fukara!


Desha Kosovën time më shumë se asgjë tjetër,
për atë shkak që e desha tepër, as kurrë nuk e lëshova,
për mua mbet dashuri e vetme, që kurrë s’ u bë e vjetër,
edhe pse shumë vende të huaja me këmbën time pushtova!


Kam lexuar e kënduar këto vite, vargje t’ poetëve në nam larë,
të Homerit, Khajamit, Gëtes, Shekspirit, Pushkinit,
por, askush s’ mundi të ma ngrohë zemrën si poetët e mi shqiptarë,
tek u këndojnë bukurive të Llapit, Rugovës, Tiranës, Dukagjinit!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT