Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje të tmerrshme me të cilën dyshohet se u përball një vajzë nga Fushë Kosova. Një person dyshohet se e mori me forcë 25-vjeçaren dhe e dërgoi në një motel, ku e kërcënoi se do t’i kushtojë me jetë nëse s’pranon të jetë në lidhje dashurie me të.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Eron Olluri, 23-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar.
Burimet e Sinjalit kanë zbardhur detaje nga dëshmia e viktimës, e cila ka deklaruar se i dyshuari, i cili është i njohur për të, e ka marrë me forcë në veturën e tij dhe më pas e ka dërguar në motel.
Sipas saj, Olluri atje e ka mbajtur pa dëshirën e saj dhe të njëjtën e ka kërcënuar se nëse nuk do jenë bashkë, do ta vrasë atë dhe më pas veten. E po ashtu e ka kërcënuar se do i bëjë keq edhe personit me të cilin 25-vjeçarja është në lidhje dashurie.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, teksa është arritur që të arrestohet i dyshuari 23-vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.
