70 gëzhoja plumbash u gjetën në oborr, e disa prej tyre edhe brenda shtëpisë së Bashkim Durakut në Krushë të Madhe të Rahovecit.
Shumë plumba u shkrepën në drejtim të shtëpisë së Durakut mbrëmjen e së shtunës, më 24.02.2024. Nga plumbat muri i shtëpisë u bë vrima-vrima.
Selami Duraku, familjar i Bashkimit, pretendon se persona të panjohur tentuan të kryenin grabitje të armatosur. Por, kjo nuk ndodhi për shkak se familjarët dhe grabitësit e dyshuar u përleshën me armë zjarri.
Selami Duraku rrëfeu për KALLXO.com se si ndodhi e gjithë ngjarja.
Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë gjuajtjen e vazhdueshme me armë në drejtim të shtëpisë që ishte cak i sulmit.
Ngjarja në fillim u cilësua si – grabitje në tentativë, mirëpo me katër persona të arrestuar, rasti tashmë po hetohet si – vrasje në tentativë, dhe – armëmbajtje pa leje.
“I kemi ni gjuajtjet me armë, afër jemi me shtëpi, e kemi dalë menjëherë këtu. Kur kemi dalë veçse krismat kishin krisë ato, e jemi taku me Bashkimin e me Besnikun, këtu Bashkimi na tregon se qysh ka ndodhë rasti” – e kujton Duraku mbrëmjen e 24.02.2024.
Ai tregon se si i afërmi i tij, Bashkimi, i ka vërejtur disa persona të dyshuar, e me t’i dëgjuar ata ka vrapuar për në shtëpinë e tij.
“Kur ka dalë prej shtëpisë këtu, me ec rrugës, me ndez një cigare, në ora 11:00 a në 10:40 sa u kanë ora, e ndez një cigare e del me ecë te pllaci këndej me shku edhe i sheh katër persona. Disa persona këtu i sheh afër dhe kthehet mbrapa shkon në shtëpi edhe hyn me hyxhym në shtëpi” – thotë Selami Duraku.
Ai tutje shpjegon se në momentin kur Bashkimi hyn në shtëpi, zhurma dëgjohet nga fëmijët e tij që ishin në gjumë e zgjohen nga gjumi.
Me të ndezur dritën e dhomës ku ishin fëmijët, Duraku thotë se personat e dyshuar fillojnë të gjuajnë në drejtim të dritares së tyre.
“Kur e kallin një dritë fëmijët atje lart, në dhomën lart, ata gjuajnë në dhomë të fëmijëve atje” – thotë Duraku, teksa shton se djali i axhës së tij, Bashkimi, hip në tavanin e shtëpisë që po sulmohej e aty merr armën e tij.
“Ky ngjitet në katin lart në tavan, atje merr armatim edhe ky, kur merr armatim ky edhe ky fillon me gjujtë në drejtim të atyre (grabitësve) , ata menjëherë fillojnë drejt në dritare te Bashkimi” – thekson Duraku.
Tutje ai thotë se gjatë kohës sa zhvillohej e gjithë ngjarja, në oborrin e shtëpisë vjen edhe Besniku, vëllai i Bashkimit.
Pamjet që u panë në vendin e ngjarjes tregojnë se fati ishte në anën e Besnikut. Një plumb që u gjuajt në drejtim të veturës së tij, shpoi xhamin e veturës e për pak sa nuk goditi edhe vetë atë.
Sipas Selami Durakut, pasi plumbi ka goditur xhamin e veturës Besniku ka mbetur i gërvishur në kokë.
Besnik dhe Bashkim Duraku kanë përfunduar të arrestuar. Kjo pasi Policia atyre u gjeti armë për të cilat nuk posedonin leje.
“Të dytë janë të arrestuar, edhe 1 muaj ua kanë dhënë paraburgim. Na sa dimë prej Policisë gjoja për armë a çka i kanë ata detyrat e veta” – tha familjari i tyre.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka treguar se rreth ngjarjes në pranga përfunduan katër të dyshuar.
Fatmirësisht e gjithë ngjarja përfundoi pa ndonjë viktimë, e familjarët pësuan gjendje të rëndë emocionale nga ajo që ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
“Këtu janë kanë shtatë banorë. Ka paës edhe fëmijë, ka fëmijë 3-muajsh. Janë tash fëmija me trauma, në mbrëmje nuk flenë në shtëpi më, shkojnë te vëllai” – tha Selami Duraku.
Dy familjarët e tij, Selami Duraku pret që të lirohen. Ai thotë se presin që drejtësia t’i kryejë punët e veta.
“Drejtësia i kryen të vetat, ndoshta ato procedurat e veta, na nuk mujmë me ju përzi drejtësisë, por ne kem qejf me u liru (familjarët) se në shtëpi të vet, në mbrojtje, s’ka ku shkon përtej shtëpisë” – tha ai.
Prokuroria e Gjakovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
KALLXO.com provoi të marrë një qëndrim edhe nga Gjykata e Gjakovës për të parë se çfarë veprime janë ndërmarrë nga ajo, mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.