Thursday, December 26, 2024
BallinaLajmeKreu i Haraçinës cak i sulmit të armatosur nga persona të maskuar,...

Kreu i Haraçinës cak i sulmit të armatosur nga persona të maskuar, mbesin të plagosur dy vartës të tij

Një breshëri plumbash me kallashnikov është gjuajtur në drejtim të ekipit të kryetarit të komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, mesditën e sotme.

Ngjarja ka ndodhur derisa Ibrahimi bashkë me ekipin e tij, po inspektonte një pjesë të punimeve në rrugë, në komunën që udhëheq dhe e cila gjendet rreth 12 kilometra në verilindje të Shkupit (kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut).

Deri tani, raportohet se është plagosur shoferi i kryetarit të komunës dhe inspektori i ndërtimit.

Raportimet për plagosjen e kryetarit të Haraçinës, i ka mohuar kabineti i tij në një telefonatë me Nacionalen.

“Deri tash është i plagosur shoferi i kryetarit të komunës dhe inspektori i ndërimit”, ka thënë Shefik Duraku, pjesë e kabinetit të kryetarit të Haraçinës.

Ai tutje ka thënë se ka disa spekulime nëpër media rreth plagosjes së kryetarit, gjë që e mohon, por thotë se për momentin, Policia po kryen një aksion të madh në rajonin e Haraçinës.

“Kanë qenë bashkë me kryetarin në inspektim të punimeve në rrugë. Një person në lëvizje ka gjuajtë me kallashnikov. Kryetari është mirë, ka qenë në vendngjarje, por është mirë”, ka thënë Duraku.

Motivet e këtij sulmi, që duket se target kanë pasur kryetarin e komunës së Haraçinës, ende nuk dihen.

Duraku tha se ‘personat që kanë hedhur breshëri plumbash në drejtim të ekipit të kryetarit të Haraçinës, kanë qenë të maskuar’.

“Deri tash nuk ka informacione, sipas disa personave që kanë qenë afër aty, nuk dihet se kush mund të jetë. Për momentin po zhvillohet një aksion i policisë me helikopterë”, tha Duraku.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT