Aksidenti që ndodhi të enjten në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dyshohet se ishte i qëllimshëm dhe i parapriu një konflikt verbal në mes të dy palëve të përfshira. Një 24-vjeçar po dyshohet se e goditi veturën ku ndodhej ish e dashura e tij dhe vëllai i saj. Rasti po trajtohet si tentim vrasje dhe i dyshuari tashmë ndodhet në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua është Altin Hasolli, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Siç raportoi dje Sinjali, gjithçka kishte nisur në afërsi të një banke që ndodhet në atë pjesë, ku i dyshuari ishte takuar me viktimën, një vajzë 25-vjeçare, me të cilën kanë pasur lidhje dashurie. Në bazë të informacioneve të para, biseda mes tyre ishte e tensionuar, çka e shtyri viktimën që të largohej prej aty, bashkë me vëllain e saj.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza vazhdoi rrugën e saj, i dyshuari e ka ndjekur nga pas me veturën e tij dhe në një moment e ka goditur, duke tentuar që ta ndalojë.
Veturat u ndeshën dhe për pasojë viktimat pësuan lëndime trupore, e gjithashtu u shkaktuan edhe dëme materiale.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se me veturë të tij ka goditur veturën e viktimave femër dhe mashkull kosovarë. Gjatë aksidentit lëndime kanë pësuar viktimat të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.“
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
