Sunday, December 22, 2024
BallinaVitrina e libritGJUHA FINE ESTETIKE NË VROJTIMET KRITIKE TË DEMIR RESHITIT

GJUHA FINE ESTETIKE NË VROJTIMET KRITIKE TË DEMIR RESHITIT

Shkruan Zekerija Idrizi

Një qasje për veprën kritiko-letrare “ENDJE” (Shkrime paraqitëse për libra zhanresh të ndryshme) të autorit Demir Reshiti

DEMIR RESHITI – NJË FIGURË POLIEDRIKE E GAZETARISË, PUBLICISTIKËS, ARTIT, LETËRSISË DHE KRITIK ERUDIT I SAJ

Demir Reshiti lindi më 24 qershor 1963 në Bresanë të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skënderaj, ndërsa fakultetin ekonomik, fakultetin e gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari i kreu me sukses në Universitetin e Prishtinës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i kryesisë i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”. Ka qenë sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në një mandat. Është laureat i çmimeve të para për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe në manifestimin tradicional “Ora e TahirDeskut”. Ka shkruar dhe botuar me dhjetëra vepra në shumë zhanre të letërsisë.

******

Muajve të fundit, ndër të tjerash, me vëmendje të thellë kam përcjellë veprimtarinë e gjithëmbarshme të gazetarit, poetit e shkrimtarit opojas të Prizrenit Demir Reshiti. Spektri i gjerë dhe i thellë i veprimtarisë së tij gazetareske, publicistike, letrare e mbarëkombëtare më ka mrekulluar nga çdo pokëpamje, për ç’gjë kam një respekt dhe konsideratë të lartë atdhetare.

Demiri është një figurë poliedrike, shumë dimensionale: veprimtar i dalluar, gazetar, publicist, poet dhe kritik i mirëfilltë letrar.

Ai është një intelektual opojan që ka dhënë e po vazhdon akoma të japë një kontribut të madh në avancimin e trevës së Opojës, veçmas në aspektin kulturor dhe artistiko-letrar. Falë angazhimit të tij të pashembullt në shumë sfera, ai ka arritur të jetë njëri nga emrat më të njohur që përfaqëson denjësisht traditën dhe kulturën opojane në Kosovë, në gjitha hapësirat shqiptare në Gadishullin iliric dhe në të katër anët e globit te mërgata shqiptare.

Demiri ka arritur me muzën dhe penën e tij të artë krijuese të “pikturojë” e të letrarizojë vlera shoqërore e gjithëkombëtare me një mjeshtëri të kulluar estetiko-letrare. Këtë ai më së miri e shpërfaqë te poezia e tij me titull “Mallin pikturoj”, teksa vargëzon:

“Mallin pikturoj në një copë qiell/ Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen/ Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha/ Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim/ Drejt perëndimit të kuqërremtë/ Shaloj Kalin e Trojës/ Deri te një hije shelgu/ Ku merr fund pikturimi/ Dhe nis fshirja e kufijve/ Këtu/ Nën hijen

e shelgut vajtues/ Këputet kënga e përvajshme/ Këtu…”

DEMIRI – NJË NGA KRITIKËT E SPIKATUR TË ARTIT E LETËRSISË

Demir Reshiti është sot njëri nga zërat më të spikatur të kritikës letrare dhe artistike në atdhe. Është, do thosha, kreator i kritikës racionaliste dhe fine artistiko-letrare dhe, në këtë rrafsh, edhe i qasjes dhe mendimit filozofik në fushën e teorisë letrare, të letërsisë, filmit dhe teatrit. Shi në këtë kontekst dhe ai ka krijuar një amalgamë vlerash letrare plot estetizëm. Ai po i dhuron një frymë dhe imazh të kristalizuar idesë kritiko-letrare, në ç’domen shpërfaq vrojtime e gjykime të ëmbla, të kristalta e aq vezulluese, të cilat i qëndisë dhe “pikturon” me farfuritë e tij të mprehta në pikëpamje artistiko-letrare.

Nga “kasaforta” diturore ai din të nxjerrë thesaret dhe margaritarët e tij përçdoherë kur ju qaset me analiza vështrimore shumë veprave të autorëve të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë. E, imagjinata e tij interpretative të mahnitë, si nga pikëpamja ortografike e semantike, ashtu edhe nga pikëpamja përmbajtësore, racionale e filozofike. Diskursi i tij shkrimor është i veshur me një “garderobë” të kultivuar gjuhësore dhe, për rrjedhojë, mjeshtria narrative, interpretative dhe vrojtuese e shumë veprave nga ana e tij del e mbështjellur me pëlhurën cilësore artistike e letrare në tipizimin, përzgjedhjen dhe vlerësimin e tyre.

Madje-madje, më duhet të nënvizoj edhe një fakt tjetër: në kohën kur shumë autorë e vepra të tyre cilësore vuajnë padrejtësisht pasojat e mosvëmendjes nga kritika letrare, por edhe të një megalomanie të qarqeve të caktuara letrare kudo trojeve tona etnike (të cilët mosnjohjen e letërisë së ca autorëve e krijuesve të mirëfilltë e mbulojnë me injorim dhe shpesh herë me injorancë), dalja në skenë e kritikut Demir Reshiti dhe të shumë kritikëve të tjerë objektivë është për t’u përshëndetur dhe lavdëruar. Veçanërisht sot kur kemi edhe një dukuri tjetër të pështirosur dhe idioteske që shpërfaqet në forma klanesh e qarqe mëhallash provincialiste, ku mblidhen dhe vlerësohen vetëm krijuesit e grupacioneve të tyre partikulariste.

SHPALOSJE BRILANTE MESAZHESH SUBLIME TË VEPRAVE TË NDRYSHME

Në veprën “ENDJE” autori Demiri vërtet endet maestralisht vepër më vepër dhe zbulon e ndriçon shtresat kuptimore, mesazhet dhe bukuritë e tyre estetiko-letrare. Ai nuk kërkon skema dhe teori që të kanalizojë vlerësimin e tij mbi akëcilën vepër dhe as humb kohën për të gjetur se cilën teori mbi kritikën do të zgjedhë. Kjo e ka çliruar atë nga formatet klasike të njohura të studimit të tekstit. Nga vështrimet e tij, të prezantuara në këtë vepër, vërehet qartë që ai lexon dhe reflekton thellë mbi leximin. Është, pra, një lexues sa i thellë aq edhe i vëmendshëm i teksteve librorë dhe, njëkohësisht, tejet i kujdesshëm në qasjet e tij analitike e kritike për veprat që i ka përzgjedhur.

Në saje të asaj çfarë lexova në këtë vepër më duhet të konstatoj që kritika që lëvron D. Reshiti zë shtrat në kritikën impresioniste, të cilën esteti dhe kritiku Zhyl Lemetër e konsideron si kritikën më të vërtetë, pasi kriter themelor për vlerësimin e tekstit ka përshtypjen, impresionin, gjurmën që lë leximi dhe emocionin që mbetet. Këto përjetime dhe mbresa sigurisht që nuk mashtrojnë asnjëherë, madje, në rastin konkret me kritikun, Demirin, kanë krijuar empati mes kritikut, krijuesit dhe lexuesit, duke ndërtuar një lidhje unifikuese të mrekullueshme të kësaj trioje, si një vatër policentrike që jep dhe merr valë komunikimi. Sepse Demiri, në fakt, nuk ngre mure, por krijon ura mes tyre. Ai është thellësisht refleksiv. Reaksionet e shpirtit gjatë leximit i përçon mandej në mënyrë të përsosur në forma vlerësimesh qëmtuese tek lexuesi, saqë kur e lexon, konsideroj unë, nuk bëhet i lodhshëm, përkundrazi lexohet si një studim, si një ese, si një krijim estetik më vete, që ecën dhe të rrëmben mendjen dhe shpirtin. Pra, befas të fut në një hulli të re, dhe ndërton një botë mbi botën e parë, atë që lind nga teksti ku ai referohet.

Ndoshta pa e patur qëllim në vetvete, por duke e njohur mirë letërsinë, filozofinë, psikologjinë dhe fushat afër e rreth tyre, Demiri, duket qartë në çdo vështrim të tij, e mban me vete lupën shqyrtuese, duke hulumtuar në çështje filozofike (kritika filozofike) varësisht gjatë leximit të tekstit, të cilat mund t’i kenë dalë gjatë rrugës, sikurse janë çështje të ekzistencës njerëzore, humbjes apo absurdit, gjetjen e kuptimit të jetës, etj.

Veçanërisht në studimin e poezisë, (që, padyshim është lexuesi më elitar i saj, madje edhe vet poet) fokusohet në estetiken dhe filozofiken, synon të zbulojë detajin e veçantë, mesazhin, etj. Pra, thënë me pak fjalë, veprimtaria studimore e kritiko-letrare e Demirit shpalosë interpretime të thella mbi disa aspekte, të cilat përfundojnë si analiza të suksesshme, por edhe si lexime alternative për t’i dëshmuar lexuesit dritare të reja leximi e përjetimi, për ta ndihmuar atë që ta mbërrijë thelbin e veprës, duke ia lehtësuar procesin e të kuptuarit, por edhe ta ndihmojë atë (sidomos studentët dhe studiuesit e rinj) të zhvillojë një sens kritik të mendimit dhe, në disa raste, kjo mënyrë e të bërit kritikë zgjat fije mbi çështje jo thjesht të ekzistencës, por edhe mbi botëkuptime metafizike, që shpesh na çojnë drejt dilemave dhe pikëpyetjeve mbi qenien, shpirtin dhe materien.

Së këndejmi dhe, gjykoj unë, Demiri është një “Gjeneral” i mendimit kritik, dhe në fakt, kushdo që e njeh, e dëshmon se ky autor e shkrimtar, nuk vepron vetëm si individ, por edhe si një institucion i mëvetësishëm, që në laboratin e vet të gjithëmbarshëm krijues po merr statusin e primarit – të një kritiku të mirëfilltë të artit dhe të letërsisë.

Prandaj dhe, rrjedhimisht, sot Demir Reshiti është një modeli i intelektualit të përkushtuar dhe me kontribut të rëndësishëm në formësimin dhe zhvillimin e identitetit, artit, letërsisë, dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Në mënyrë të veçantë, ai është një shëmbëlltyrë e kritikut ideal e objektiv në zbërthimin e gjuhës së simboleve, kodeve e metaforave letrare e artistike.

E, shkrimtarët e poetët, të cilët janë në interesin e kritikës dhe nën optikën e vëzhgimit të saj, s’do mend që do të lënë gjurmë në historiografinë e artit e të letërsisë, ndërkaq vetë KRITIKA është referencë për ta njohur e për të depërtuar thellë në thelbin dhe ajkën e letërsisë ….

Për fund, le ta them dhe këtë fakt: shkrimtarët dhe veprat tek të cilat është fokusuar në veprën “ENDJE”, Demir Reshiti i ka ndjekur dhe lexuar në hollësi në gjithë ecurinë e vet krijuese e qëmtuese, nuk i anashkalon ata, por bëhet një fanar, një dritë e ndezur orientimi për lexuesit dhe mbështetjeje e vazhdueshme për autorët, njëkohësisht. Shto këtu dhe vlerën tjetër të kësa vepreje: autori për shumicën e krijuesve, veprat e të cilëve i ka analizuar, ka dhënë në fund edhe pjesë nga biografitë e tyre, veç e veç për secilin.

Zekerija Idrizi – Shkrimtar

Berlin

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Fitore Haklaj-ËNDËRR

Moti për sot