Saturday, April 19, 2025
BallinaNgjyra jete“Burrat i veshën me tirq e qeleshe”: Familja Veseli shpëtoi tri familje...

“Burrat i veshën me tirq e qeleshe”: Familja Veseli shpëtoi tri familje hebraike

“Tirana nuk ishte më e sigurt në vitin 1941, kështu që im atë siguroi veshje karakteristike krutane për pjesëtarët e tri familjeve hebraike. Udhëtuan për 36 orë me kuaj e mushka, duke u fshehur në pyje gjatë ditës, e duke ecur më shumë natën, drejt Krujës…”.

Fatmir Veseli, me profesion fotograf, tregon me krenari historinë e familjes së tij, që strehoi tri familje hebraike në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai i tij, Refik Veseli, në atë kohë ishte 18 vjeç

Çdo detaj që lidhet me sakrificën, Fatmiri e dëgjoi qindra herë nga i ati, ndërsa vetë bëri gjithçka për të ruajtur lidhjet me familjen e Moshe Mandilit, pasi për fatin e dy të tjerave nuk mori vesh kurrë.

Çdo vit më 27 janar, bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, përkatësisht të gjashtë milionë hebrenjve që u vranë nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj midis viteve 1941 dhe 1945.

Kjo datë u zgjodh, pasi më 27 janar, 1945, trupat sovjetike çliruan kampin famëkeq të përqendrimit, Auschwitz-Birkenau, në Poloni, që ishte simboli më i tmerrshëm i mizorive naziste.

“Mes varfërisë dhe vështirësive të mëdha, dyert e shtëpisë sonë në Krujë kanë qenë të hapura për hebrenjtë”, thotë Fatmiri, 65-vjeçar, i cili atëkohë nuk ishte i lindur.

Roli i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve
Forcat e Gjermanisë naziste pushtuan Shqipërinë më 1943 dhe kërkuan nga autoritetet lokale që të tregonin emrat e hebrenjve. Por, ato dhe populli refuzuan ta bënin një gjë të tillë.

Shqipëria ishte vendi i vetëm i pushtuar nga Gjermania, ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me përfundimin e saj, popullata hebraike në Shqipëri u rrit nga disa qindra në dy mijë. Vendi me shumicë myslimane strehoi kryesisht hebrenj të ikur nga shtetet fqinje

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT