Friday, April 17, 2026
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Nikolle Loka

Cikël poetik me vargjet e poetit Nikolle Loka

Në këtë hapësirë

Në këtë det ka të ardhme e ka kujtesë,
ujëvara që bien e një forcë që lëviz ujin,
ka liqenj si parathënie,
e lumenj si parantezë,
që pushojnë mbi dallgë të trazuara.
Në këtë breg që grryen kohë e hapësirë,
ka shpella dhe humnera sa të duash,
ka ngutje për të ikur,
nxitim që të bën me qesh,
vullnet për t’u larguar.
Në këtë horizont pa asnjë domethënie,
ka hapësira bosh që ngjallin frikë,
ku lundrojnë dallgë të shpirtit dhe të mendjes,
ka lumenj pa shtrat,
dhe djerrina të pa dritë.

Të njoha në një ëndërr

Të njoha në një ëndërr që s’e mbaj mend,
sikur ishte ditë,
dielli po e linte hijen tënde mbi një park
si një kujtim të brishtë,
që kur të zgjohen mëngjeset në ag,
me pamjen e ditës së re,
t’i kthehesha asaj ëndrre çdo ditë,
ndonëse nuk të njoh as më njeh.

Me imazhin tënd dua të bie e të zgjohem,
ta përjetoj ndërrimin e stinëve,
endjen pa cak, largësitë,
ngutjen dhe ngadalësimin e kohëve,
paqen qiellore,
mirësitë,
çastet që më sillen ndërmend,
e çdo pamje që njoh,
dua të vijnë me imazhin tënd.

Mbyll sytë!…

Mbyll sytë e nis një udhëtim brenda vetes,
ndihesh më mirë,
veten e sheh në pasqyrë,
ëndrrat e bardha të shtohen një nga një,
agu të kthehet në kujtesë,
hijes së gjethit të ri.
Shikimi të çon larg e të humbet pamja,
ajo rrugë e gjatë të shkurtohet,
bjeshka zbret më poshtë,
ti ngjitesh më lart,
dhe hëna e plotë të afrohet.
Ulesh mbi gurë të bardhë,
aty ku ujëvarat zbresin me ngadalë,
ndër gurra e shuan etjen,
dhe hija mbi mal,
të ndal,
e të thotë: njihe veten!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT