Wednesday, April 15, 2026
BallinaKalendari EnciklopedikKush është Mark Gashi, piloti i parë shqiptar në Jugosllavinë mbretërore?

Kush është Mark Gashi, piloti i parë shqiptar në Jugosllavinë mbretërore?

Për herë të parë emrin e Mark Gashit e kam dëgjuar në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë nga djali i tij Mirko Gashi, njëri nga poetët dhe eruditët më të shquar kosovarë.

Sa herë e zinte në gojë emrin e babait të tij, Mirko asnjëherë nuk e mbaronte rrëfimin për të atin, pasi rrëmbehej fuqishëm nga emocionet. Edhe herëve të tjera, kur Mirko niste rrëfimin për babain e tij, nuk përmbahej nga emocionet e mëdha dhe kështu rrëfimi për Mark Gashin mbetej gjithmonë në fillim…

Pak kush e di se Mark Gashi ishte piloti i parë i aviacionit ushtarak në Jugosllavinë Mbretërore, gjatë viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Në historikun e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, besohet që Mark Gashi ishte piloti i parë shqiptar.

Mark Gashi u lind në vitin 1913 në Selishtë të Karadakut të Gjilanit nga babai Antonio dhe nëna Marie.

Shkollën Fillore e kreu në Zhegër dhe Gjimnazin në Gjilan. Më vonë shkoi në Shkup dhe kreu edhe Normalen. Gjatë sundimit të Jugosllavisë mbretërore, Mark Gashi mbaroi Akademinë Ushtarake të aviacionit në Mostar e Zemun. Pas shpartallimit të Jugosllavisë mbretërore, Marku u arrestua nga bullgarët pasi vendlindja e tij Selishta ishte në zonën bullgare të pushtimit. Së bashku me disa shokë që gjendeshin në burg, mbërrijti të ikte nga burgu bullgar i Preshevës dhe shkoi në Gjilan, pasi ky i fundit ishte në zonën italiane të pushtimit. Edhe italianët e internuan dhe e dërguan në Bergamo të Italisë, por u lirua pas tre muajsh.

Kur u kthye nga internimi, Mark Gashi punoi sekretar në Komunën e Strezovcit, pastaj në fshatrat Ropotovë e Parallovë të Kame­nicës, infermier në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj, arkivist në Gjykatën e Paqit në Nën­pre­­­fektu­rën e Gjilanit dhe së fundi ishte toger intendant i Ushtrisë së Shqipërisë.

Gjatë vitit 1944, krahas punëve administrative e ushtarake në Ushtrinë shqiptare, Mark Gashi u përkushtua për mbrojtjen e trojeve etnike lindore dhe për mbetjen e tyre në kufijt e Shqipërisë Etnike.

Kur në nëntor të vitit 1944, Kosova u ripushtua nga Serbia, Mark Gashi u inkuadrua në Brigadën e Shtatë të Preshevës. Në mars të vitit 1946, Mark Gashi u arrestua nga regjimi komunist dhe u dënua me disa vjet burg, pasi mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e vijës kufitare shqiptaro-serbe në Luftën e Preshevës, e cila ndodhi më 15 shtator të vitit 1944. Mark Gashi u lirua mbas katër vjet e gjysmë qëndrimi në burg, pastaj punoi si arkivist, më vonë mësues, si dhe mësues e drejtor në shkollën e Caravajkës. Mark Gashi punoi edhe si përgjegjës i arsimit në Preshevë dhe hapi disa shkolla shqipe.

Për shkak të veprimtarisë së tij të dendur, Mark Gashi nga regjimi komunist u arrestua sërish në vitin 1958, tash si aktivist i Lëvizjes Nacionaldemokratike shqiptare dhe u dënua me dhjetë vite burg të rëndë.

Idealisti i përjetshëm Mark Gashi derisa ndërroi jetë, jetoi në një banesë me qera në Prishtinë së bashku me djalin e tij, Mirko Gashi.

Foto: Mark Gashi me bashkëshorten e tij dhe vajzën Elizabetha Gashi-Nuiqi

Bajram Mjeku

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT