Janë diku do kroje ku rishtas na prarohet fjala,
Një zjarr i fjetur që ndizet e shuhet diku në ne
Dhe një gur, fron heshtje, mbi t’cilin u thehet vala
Duhive t’kuqe dhe rriten fëmijët që s’kanë për t’le.
N’at fron gjeniu që s’flet as nuk përgjegjet
Ngrihet Mbinjeriu apo na zënë myk ndërgjegjet?
E ato kroje t’cemta t’gjakut janë t’shejta, thonë
N’pasqyrë të tyre s’guxojmë ta shohim vetëveten
Nëse fjala, e ndyrë nga ëndjet, na bëhet kumbonë
E shurdhët e n’te veç emrat dhe gishtat na mbeten.
Kë do ta ngrohi ai zjarr i fjetur diku në ne:
Ata që vdiqën apo fëmijët që s’kanë për t’le?
E ato duhi t’marra turren furishëm dhe ndalen
Ndërsa çakajt e mërisë në ne zënë për t’u ngrënë;
Ne, t’mëllefur, njëri tjetrin shtyjmë si vala valën:
Dukemi pak dhe zhdukemi, halët na mbesin mbi rërë.
Lojë e çuditshme! Ka apo s’ka mbarim?
Miq, një ditë do t’varem n’vargun tim.