Tuesday, April 21, 2026
BallinaKulturëINTERVISTË ME GAZETARIN DHE SHKRIMTARIN E NJOHUR ITALIAN VINICIO LEONETTI

INTERVISTË ME GAZETARIN DHE SHKRIMTARIN E NJOHUR ITALIAN VINICIO LEONETTI

Kur gazetaria bëhet armë dhe letërsia reflektim

Intervistoi: Angela Kosta

Përshëndetje Vinicio. Mirësevini në këtë intervistë. Ju keni lindur në Kalabri, me rrënjë arbëreshe; gjyshja juaj Varipapa nga Karfici: sa peshon ende sot ajo trashëgimi e padukshme në shkrimin tuaj dhe në idenë tuaj për drejtësinë?

Përshëndetje Angela. Ndihem tejet i nderuar të jap këtë intervistë për lexuesit shqiptarë. Përfitoj nga rasti t’i falenderoj ashtu sikurse edhe kolegët e mi gazetarë e botues.
Sa herë që kthehem në Karfici, pas shumë kthesash gjarpëruese me makinë, është njësoj e më duket sikur kthehem pas në kohë. Dikur ishin gjyshet e mia, tani janë hallat dhe kushërinjtë. Atje gjej përsëri aromën e oxhaqeve dhe shijet e gjellëve që funksionojnë si madeleinea (keku) i Proustit: në mënyrë instinktive zgjohet kujtesa dhe shpërthen në ndjenja shumë të ëmbla.
Flitet arbërishtja e lashtë; çliron mendimet. Në fillim e kam të vështirë ta përkthej, pastaj dalëngadalë e kuptoj dhe përgjigjem. Ajo e folur, ndryshe nga italishtja, më e theksuar dhe tejet më e pasur me rrokje, më ka ndihmuar shumë në shkrim që nga fëmijëria. Të mendosh dhe të flasësh në mënyra të ndryshme e bën fjalën më të rrjedhshme, e bën të ujshme si një solist i Mark Knopfler. Mendoj se duhet bërë më shumë për të ruajtur dhe për të vlerësuar këto thesare të fshehura.

Keni kaluar pothuajse tridhjetë vite në kronikën e zezë dhe në atë gjyqësore. Çfarë mbetet brenda një njeriu pasi ka rrëfyerr për kaq shumë kohë anën më të errët të pushtetit dhe të shpirtit njerëzor?

Duke studiuar për juridik dhe më pas të ndiqja qindra procese në sallat e gjykatave, më ka çuar t’i shoh gjërat nga dy këndvështrime: ai juridik, i lidhur me ligjet, kodet dhe procedurat, me respekt për ata që ushtrojnë të drejtën, duke u kufizuar të tregoj gjithçka që ndodh, në mënyrën sa më asnjëanëse; këndvështrimi tjetër është intim, krejtësisht personal, që besoj se duhet të mbetet jashtë kronikës. Jo gjithmonë i kam “përtypur” vendimet e gjyqtarëve, por i kam respektuar gjithmonë.
Kam parë shumë kufoma të gjakosur të njerëzve të vrarë nga njerëz të tjerë; ndihet një heshtje e zymtë përreth edhe kur ndodh në rrugë. Për një çast të kaplon mëshira edhe kur nën plumba ka përfunduar një bastard, por nëse je kronist duhet të tregosh jo vetëm kush ishte ai i vdekur, por edhe pse ndodhet aty përpara teje, si e kanë eliminuar, vendin, sherrin, dhe skedën e ftohtë të jetës së tij. Cinizmi rimon me gazetarinë.

Nga studimi për drejtësi në Universitetin “Federico II” të Napolit te letërsia: kur e kuptuat se ligji nuk mjaftonte për ta shpjeguar botën dhe se nevojitej letërsia?

Në drejtësinë romake, e cila tek ne në Itali studiohet në vitin e parë të universitetit, kishte nga ata që shpjegonin të ashtuquajturën “induksion historik” dhe “opinio iuris ac necessitatis – bindja e së drejtës ose e nevojës”, dy parime themelore që vërtetojnë pasigurinë e ligjit. Nuk ekziston një drejtësi e përkryer. Me letërsinë kam ecur paralelisht duke nisur nga librat e studimit, por vetë, gjatë studimeve në lice, lexoja klasikët e mëdhenj italianë dhe të huaj, shkrimtarë dhe poetë që lënë gjurmë edhe te një i ri. Në atë pikë shumë gjëra kryqëzohen: gjejnë përputhje, dalin në pah analogji.

Mund të na jepni ndonjë shembull konkret?

E kuptova që drejtësia nuk ishte e përsosur rreth moshës 25 vjeç. Si korrespondent i gazetës së përditshme “Gazzetta del Mezzogiorno – Gazeta e Mesditës” (Bari), kam ndjekur në sallën bunker të Katanzaros mbi dhjetëra seanca gjyqi për masakrën e Sheshit Fontana, ku në vitin 1969 në Milano shpërtheu një bombë shumë e fuqishme e vendosur nga neofashistë në një bankë, në të cilën humbën jetën 17 persona dhe rreth njëqind të tjerë mbetën të plagosur. Shërbimet sekrete italiane patën një rol kyç, por kur dhjetëra politikanë të nivelit të lartë të asaj kohe në Itali, (ishte fundi i viteve ’80), parakaluan para Gjykatës së Asizes për të dëshmuar, në sallë dëgjova vetëm “nuk e di” ose “nuk më kujtohet”. Ende nuk e kuptoj nëse ata që qeverisin i manipulojnë shërbimet sekrete, apo ndodh e kundërta. Me siguri nuk do të kisha dashur të isha në vendin e atyre gjyqtarëve. Dhe ja, paqartësia e drejtësisë: unë isha një kronist i ri në moshë, i habitur nga ai realitet, ndërsa të dërguarit e gazetave të mëdhaja, të ulur pranë meje nënqeshnin, duke e marrë gjithçka lehtazi.

Tek “Eroine – Heroina” ju vendosni në qendër figurat femërore. Si arrin një burrë i rritur në Jug, në një kulturë shpesh patriarkale, të zgjedhë gratë si epiqendër të rrëfimit?

Gruaja e Jugut nis në disavantazh, ashtu sikurse protagonistja e romanit tim të fundit “Seppelitemi qui – Më varrosni këtu!”.
Në periudhën e pasluftës nuk i lejonin të studionin përtej shkollës tetë – vjeçare; ato duhej vetëm të prisnin që dikush t’i merrte për bashkëshorte, të bënin fëmijë dhe të kujdeseshin për shtëpinë. Pastaj, nëse gratë lindnin dhe jetonin në një komunitet etnik si ai arbëresh në Kalabri, akoma edhe më i izoluar dhe arkaik, përfundonin të ishin “të shtypura”, në çdo kuptim. Qëllimi im, për aq sa mund t’ia dal, është t’i ringjall këto gra, të theksoj rëndësinë e tyre, rolin e tyre si protagoniste dhe forcën e madhe shpirtërore. Kështu ndodh me Elvirën, historia e së cilës është në qendër të romanit tim, me forcën dhe guximin e saj, pavarësisht modestisë së madhe; po ashtu ka ndodhur me Marizën, protagonisten e spy-story “Eroine – Heroina”, e cila nga abuzimet mafioze kalon në një agjente dinamike policie dhe mbi të gjitha në një “testa di cuoio – Kokë lëkure” e aftë, e cila shpëton jetë në rreziqe serioze në mbarë botën, aq sa përfundon në kopertinën e “Time”.
Më pas, në tregimin tim të shkurtër “L’amante del boss – Dashnorja e bosit”, në të cilin në mënyrë të pavullnetshme u gjenda i përfshirë edhe unë vetë personalisht, e reja franceze e bosit, e mbetur “e ve”, themelon një spital në Irlandë për fëmijët e prekur nga sëmundje të rralla, në vend që të shijojë diellin në Karaibe me trashëgiminë prej shumë miliardash.

Keni kaluar nëpër redaksi të ndryshme, nga Rai te grupet e mëdha editoriale ekonomike: gazetaria italiane sot, është më e lirë apo më e brishtë krahasuar me kohën kur filluat ju në moshën 23-vjeçare?

Kam kaluar dy momente vendimtare. I pari ishte kalimi nga makina e dashur dhe zhurmuese e shkrimit Olivetti te kompjuteri; tjetri ishte ardhja e uebit rreth dhjetë vite më vonë, ky i fundit shumë më revolucionar se i pari.
Ishte njësoj sikur u kalua nga linotipi në shtypin offset, por atëherë isha ende fëmijë. Ndryshimeve u përshtatesh, kush më shumë e kush më pak; nuk duhet të themi “kurrë”, por duhet t’i përvishemi punës me të njëjtin përkushtim. Sot ka shumë pasiguri mbi burimet, mbi kërkimin e origjinës së lajmeve që duhen shkruar; ka mungesë në punën e verifikimit që çdo gazetar duhet të bëjë përpara publikimit. Nuk është një situatë e lehtë për t’u menaxhuar nga drejtorët dhe kryeredaktorët. Pasiguritë e tyre reflektohen te redaktorët individualë, në një moment, ai i rrjeteve sociale, kur secili beson se po bën gazetari duke shkruar një postim prej katër rreshtash mbi hiçin, pa gramatikë dhe duke vendosur një foto të shëmtuar.

Pasioni juaj për jazzin sugjeron  improvizim dhe disiplinë sëbashku. A ka diçka “jazziste” në mënyrën tuaj e të shkruarit apo në drejtimin e një hetimi?

Prima blues e poi rock, qëkur isha i ri. Luaja pak edhe me kitarën time Fender. Derisa për Radio Palermo Centrale, gjatë studimeve në vitin e fundit të gjimnazit, më ngarkuan të shëtisja nëpër qytet me një magnetofon të vogël me bobina për të regjistruar fragmente koncertesh të mëdhenjve të jazzit, si: Horace Silver, Roy Haynes, Dizzie Gillespie, Bill Evans. Më pas Roccella Jazz Festival në Kalabri. Më pëlqente dhe më pëlqen be -bop, kur mbi të njëjtën bazë ritmike fillojnë solo të rrufeshme, fraza të shkurta, çaste pauzash e magjike, në një rritshmëri pothuajse rossiniane.

Teksa dëgjoja këtë muzikë lexoja shumë, si: Jack Kerouac, Charles Bukowski, John Fante; vargjet e Ginsberg e Ferlinghettit të Beat Generation. Kur shkruaj besoj se kam një pikësim thuajse të fiksuar: fraza të shkurtra, fjalë të izoluara; rrallëherë shkoj përtej katër rreshtave pa ndalesë. E njeh Take Five të Brubeckut ? Ja, pikërisht ashtu.

Në “Ottomani sullo Stretto”, Mesdheu nuk është vetëm gjeografi, por edhe fat. A është Kalabria periferi apo një qendër e fshehur e historisë?

Duhet eksperimentuar. U bashkuam katër ish-gazetarë të së përditshmes “Gazzetta del Sud – Gazeta e Jugut”, që lindi mes Mesinës dhe Rexho Kalabrias, në Ngushticën piktoreske. Në vitet ’60, Miles Davis mblodhi në një studio regjistrimi në Nju Jork pesë a gjashtë muzikantë të mëdhenj dhe u tha: luani çfarë të doni, regjistrojmë disa versione, pastaj i montojmë bashkë. Kështu lindi free jazz-i, i cili nuk vdes kurrë. Ne, gazetarë provincialë në pension, me nismën e kryetarit të shërbimit Aldo Mantineo, kemi shkruar gjithsej tetë tregime nga rreth njëzet faqe secili; çdokush prej nesh ka “gjeneruar” dy. Meqë 2 duar × 4 bëjnë tetë, e titulluam me pak pakujdesi “Ottomani”, por këtë herë turqit s’kanë asnjë lidhje. Libri është shkruar nga tre kolegë shumë të zotë sicilianë dhe vetëm një kalabrez; secili ka nxjerrë mendimet e veta të shënuara në bllok, ato që në gazetë nuk mund të shkruhen dhe që ne, përkundrazi, patëm guximin t’i rikthejmë në jetë nga fundet e sirtarëve tanë. Besoj se kemi rrëfyer një Ngushticë poetike, atë më intimen, kjo falë edhe besimit të madh të një botuesi si Città del Sole – Qyteti i Diellit në Rexho Kalabria, i cili transgresionin e bën armën e tij më të mirë.

Ju koordinoni “Trame a Sud – Drama në Jug”, spin-off i festivalit kundër mafieve në Lamezia Terme. Pas dekadash kronike gjyqësore, besoni më shumë te represioni apo tek edukimi kulturor si përgjigjja e vërtetë?

Represioni është relativisht diçka e re; është e lehtë të gjenerosh ligje të reja kufizuese, por ato sjellin më shumë jehonë sesa efekte reale mbi mafiet apo çdo lloj kriminaliteti. Edukimi kërkon më shumë kohë, më shumë përkushtim; forca e njeriut është më e madhe se forca e fatit. Festivali Trame i librave kundrejt mafiave, ka pesëmbëdhjetë vite që punon. Qëndron fakti që tashmë krimi i organizuar ka ndryshuar; kanë mbetur pak bosa në stilin tradicional të Kryetarëve si Mario Puzo. Klanet me miliardat e tyre, i dërgojnë ëmijët (më të merituarit), të studiojnë në universitetet më prestigjioze në botë. Janë të gjithë njerëz që dinë ta investojnë paranë e pistë në mënyrë që ta përziejnë me kapitalin e ekonomisë së ligjshme. Ka lindur një hibrid i rrezikshëm, por shpesh themelor për qeveritë e jo vetëm ato perëndimore, shpeshherë autoritare.

Të jesh sommelier i AIS, do të thotë të edukosh shijen dhe kujtesën. Vera, ashtu sikurse shkrimi, është një ushtrim durimi? Çfarë e bashkon vitin e shkëlqyer të prodhimit të verës me një roman të mirë?

Vera duhet të jetë zbavitje për dikë që si unë, nuk e prodhon e as nuk e shet. I jam afruar kësaj bote jo vetëm për të pasur më shumë vetëdije për ta shijuar pijen, por sidomos, sepse më pëlqen shumë gjuha e atyre që merren me të, e cila ka një stil të vetin. Kam pasion për gjuhët e ndryshme: ekziston “gjuha e drejtësisë” për gjykatat dhe forcat e rendit, “gjuha politike” për ata që lëvizin nëpër institucione, “gjuha burokratike” për ata që jetojnë nëpër zyra.
“Gjuha e verës” është ajo e njohësve të varieteteve të rrushit, terroirit, Docg, verërave me flluska, shije e pije të rafinuara. Mund ta krahasoj një Barolo të shkëlqyer me një roman të përjetshëm të Dostoevskit, një Amarone me volum me një histori të “çmendurisë së zakonshme” të Bukowskit, dhe një Cirò klasik të fortë e të guximshëm me fantazinë e Calvinos.

Në romanin tuaj të ri “Seppellitemi qui – Më varrosni këtu!” titulli tingëllon si një deklaratë përfundimtare. Është një rikthim te rrënjët apo një sfidë ndaj kohës? Ku dëshironi të “mbeteni i varrosur”: në një vend gjeografik apo në një faqe libri që mbetet?

Protagonistja e bukur arbëreshe e romanit betoi besnikëri dhe dëshiron të arrijë të dashurin e saj në botën e përjetshme për t’u ribashkuar me të. Përfundon një jetë dhe fillon një tjetër, me vulën e përjetshme të dashurisë. Ia ambientova Argjirosë sipas emrit të Princeshës mitike që i shpëtoi sulmit osman, duke kujtuar stinët e verës gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës sime në një fshat shqipfolës në Kalabri. Romani i kushtohet nipit tim të parë dhe të vetëm Mateos, që jeta të vazhdojë në kujtimin e një dashurie.

E njihni gjuhën apo letërsinë shqipe? Keni lexuar autorë shqiptarë?

Gjuhën moderne jo; shqipen e gjashtë shekujve më parë e kuptoj, por e flas aq rrallë saqë kam nevojë për disa ditë ushtrimi kur ndodhem në vendin arbëresh. Ndihem disi fajtor që nuk e njoh në thellësi letërsinë shqipe, por vetëm shkrimtaren Anilda Ibrahimi, e cila ka zgjedhur të jetojë në Itali dhe publikon me merita te një shtëpi e madhe botuese si Einaudi.
Mora një libër të saj para disa vitesh pa e ditur që ishte shqiptare; më tërhoqi titulli “Volevo essere Madame Bovary – Doja të isha Madam Bovary ”, sepse besoj që pikërisht ajo, ka qenë gruaja e parë vërtet e emancipuar në Perëndim, me guximin për ta lënë të shoqin edhe pse jetonte në luks, si dhe për të shkuar në rrugën e saj. Tragjik epilogu i vetëvrasjes. Por forca e një gruaje mbetet; Flaubert është ndër klasikët e letërsisë botërore. Anilda Ibrahimi shkruan faqe të çmuara. E rekomandoj, në modestinë time.

Cilin mesazh doni t’u përcillni të rinjve që dëshirojnë të bëhen gazetarë apo shkrimtarë?

Të kenë parasysh Cortazarin kur shkruan se: duhet luftuar kundër gjuhës deri atëherë kur të mos i imponojë rregullat e saj.
Më lejo të shtoj se, për ta bërë këtë, duhen pasur bazat, sepse nuk mund të luash jazz pa njohur muzikën blues. Kështu mund të fitohet çmenduria e duhur, për të mbushur çdo faqe letre të bardhë me fjalë të bukura që mbesin.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT