Saturday, August 2, 2025
BallinaVitrina e libritNatasha Limaj-MOTËR E VËLLA BRENDA NË“ ROZAFË “

Natasha Limaj-MOTËR E VËLLA BRENDA NË“ ROZAFË “

Amla dhe Albioni , motër e vëlla
Gjyshe-zën përdore, ngjiten në kala…
Në të hyrë të portës, pse kaq lagështirë?…
Ah…zogthit e gjyshes, qan nëna për bir…
Gjyshe… o moj gjyshe… paska shi të bardhë?!..
Ç’t’u them vocërrakë, shtrydh nëna për djalë…
Po kjo dhomëz gjyshe , në këtë faqe muri?…
O zemrat e mia , kjo është “ Besë Burri “…
Gjyshja jonë e mirë, ç’janë këto që thua?!..
S’morëm vesh asgjë nga fjalët e tua…
Ecni – ecni lart, zini vend mbi mur
Ju sodisni Shkodrën, unë legjendën thur…
Ja… këtu mbi kodër, shumë shekuj më parë
Tre vëllezër trima nga gjaku , Shqiptarë…
Nisën nga themelet “ Rozafën “ prej guri
Ditën kapte qiellin, natën shëmbej muri…
Djalmoshat krahëprerë , qamet të trishtuar
Në sy njëri – tjetrin , kush ta ket’rrëzuar?..
Pyetjet pa përgjigje , dikush i dëgjoi
Tek pirgu me gur, një i “ Urtë “ qëndroi…
O trimat e Arbrit, mos humbisni shpresën
U tregoj sekretin , nëse mbani “ Besën “…
Ky mur të qëndrojë, kala të ndërtohet
Brenda tij një trup duhet të murohet…
E mirë e të mirës , të tre këtë natë
Asnjë fjalë nga ç’thamë , me të tria gratë…
Ajo që sjellë bukën, nesër në mëngjes
Fati i kalasë, duhet ta mirëpresë…
Ashtu, tre vëllezrit, shkuan në shtëpi
Secili, prej tyre në dhomën e tij…
I Madhi i lodhur të” Urtin “ harroi
Dhe, se , ç’kishin folur , zonjës ia tregoi…
I dyti mendueshëm, bjer moj, bjer e fli
Nesër ësht’e udhës të shkosh në gjini…
I vogli gjithë natën, qesh e luaj me djalë
Rozafës së bukur, buzët përmbi ballë…
Gdhiu dit’e re, dielli flakërimë
Djelmoshat tek kodra, sosen vetëtimë…
Nënëmadhja engjëll, zërin urt e butë
Fluturat e mia, djemt’ më duan bukë…
Mirë nëno… e para, por nuk mund të shkoj
Shtëpinë në shesh , them ta sistemoj…
As, dhe unë e dyta, pse Ti, nuk e di?..
Imzot më dha urdhër , të shkoj në gjini…
Nënëmadhja syrin, rrotull nga Rozafa
A, s’më thua shpesh: – Ty, të kam me flatra?…
E bukur e dheut, Rozëpapërtuar
Vrap ju ngjit bregores, me bukën ndër duar…
Sa e pa i shoqi, nxiu e sterroi
Pse mërzi imzot, ardhja s’të gëzoi?!..
Jooo…, moj lulja ime, por bëj zemrën gur
O emri kalasë, shtrihu përmbi mur…
Si të duash Ti, e zemra më plastë
Veç një amanet, gjysmën lerma jashtë…
Njomështirën bir, ta tund ta mëkoj
Dhe me sy ta ndjek , kur të mbretëroj!…
* * *
Për një çast vështrova fëmijtë në sy
Habi dhe keqardhje, bërë grusht të dy…
E qeshura ime , shpejt i shkrifëroj
Cicërimë e tyre , kalasë rifilloi…
Amla, sa e buuukuuur…e kuptoj tani
Pse muri mbi portë , rigonte si shi…
Dhe pikëz e bardhë, që nga lartë kullon
Është qumësht bebi, siç pi ti, Albion!..

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT