Një nga sulmet më të rënda që ka goditur kryeqytetin ukrainas në javët e fundit ka lënë pas një bilanc tragjik.
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën dhe 159 të tjerë janë plagosur, pas një vale raketash dhe dronësh që goditën Kievin gjatë natës, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe duke lënë shumë njerëz të bllokuar nën rrënoja.
Sipas kreut të administratës ushtarake të qytetit, Tymur Tkachenko, mes viktimave janë edhe tre fëmijë, ndërsa 12 të tjerë ndodhen në mesin e të plagosurve. “Për fat të keq, skenarët më të këqij në lidhje me numrin e njerëzve të bllokuar nën rrënoja janë konfirmuar,” deklaroi Tkachenko, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë me intensitet.
Një nga viktimat që ka prekur veçanërisht opinionin publik është togerja e Policisë së Kievit, Liliia Stepanchuk, e cila shërbente në radhët e policisë që nga viti 2017. Trupi i saj u nxor nga rrënojat në lagjen Sviatoshynsky, bëri të ditur Ministria e Brendshme. Tre efektivë të tjerë policie janë në mesin e të plagosurve.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 30 persona janë ende të shtruar në spital, përfshirë pesë fëmijë. Ai theksoi se ky është numri më i lartë i fëmijëve të plagosur në një sulm të vetëm në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë në vitin 2022.
Sulmi i fundit vjen në një moment kur tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur sërish, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po shton thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake ndaj popullatës civile./Top Chanel/