Sunday, August 3, 2025
BallinaVitrina e libritE premtja poetike me poeten Mimoza Eliona Osmani

E premtja poetike me poeten Mimoza Eliona Osmani

O shpirt !
O shpirti im !
jeho si në grykë të humnerës,
bëje zërin të ketë kuptim,
të dallojë nga fishkëllimë e erës…
Bëje daltë prej diamanti,
të çajë shtresat e tokës
deri në fund…
Bëje uragan, dallgë me tërbim,
tërmet ,që tund…
Bëje varg .
Bëje notë në pentagram,
se ti je shpirt,
dhe shpirtit thellë,
Jeton një ndjenjë,
një dritë e rrallë…
Një përjetim e ngre në qiell…
Një puthje,
thjesht e mban mbi valë…
Por,dorë e ngrohtë përmbi një sup,
është zjarr oxhakut,
gotë me verë,
është qiell me yje,
në një kupë,
është puthja ,para se të flerë.
O shpirti im!
Veç ti e di , ç’është dashuria!
Një përkujdesje ,një përkushtim.
Ja … tek i mbylla sytë!
Bëje zërin këngë,
bëje zërin tytë…
Qëllo në shenjë!
Tregoju shpirt ,ç’është dashuria!
T’a dinë,
që t’a rrëfejnë…

…………………………………………………………………………

Dhe fiksimi…gjë e poshtër…


Bukuria jote çark…
Si gjahtari, gjahun zënë…
I verbër për rreth e qark
Veçse ty, shoh diell dhe hënë.
Kush të pa ,thonë u marros
S’kish më sy për tjetër grua
Kë sheh ti , thonë e varros
Le të vdes, hidhi tek mua.
Nuk më thua ti çapkëne
Atij syri kulumbri
Asaj vetulle gajtane
Si t’i qasem më përbri!?
Veç një çast ,për kokën tënde
Të shoh ç’fshehin ata sy
Fruta manaferre , mëna
Ke shtrydhur buzës aty!?
Dhe fiksimi gjë e poshtër
Ti gjithë naze kokën tund
Me lëkurën si kulloshtër
Më bluan deri në fund …
Si gëzof i butë , gusha
Gishta të holla për flaut
Buzë ëmbël ,kokërr rush
Kur të puth të lë nokaut…
Dehin si raki dëllinjë
Ato gjokse zerdeli
Hollake nepërk në brinjë
Prej së largu bën beli…
Sa i ngjake asaj nëne!
Floku , i pjekur ulli
Natës që ndrin asaj hëne
Ecje rrugës për mulli..
Traka- truket në kalldrëme
Stepin yjet dy nga dy
Veshura me shumë takëme
Xixëllonjën bën me sy…
Goja s’foli dot një fjalë
U mbyll por zemrës që rref
Venë e vijnë elektrovalë
Rrahin trupin si një def…
Krrapa – krrup veç fëshfërin
Zhurmë e gjetheve si në vjeshtë
Shkëndijat ndezin shkëndijën
Ky afsh të shuhet do det.
Sy që flasin si dy buzë
Fjalët shpuzë në buzën mare
Flakë i vunë natës tërkuzë
Hëna dukej diell mes zjarresh…

……………………………………………………………….

Pushim…
I thënçin pushim!
S’ndenja një minutë!
Asnjë vargëzim
Për buzën e butë…
I thënçin pushim!
Deri në grykë plotë
Mbytur me gatim
Dhe vaksinën, sot
S’bëjnë dot agjërim
Barku, poezitë
Njëri do ushqim
E tjetri do shpirt….
I thënçin pushim!
Mu thartuan trutë
Kur je në mërgim
Si gomari drutë…

…………………………………………………………………………………..

Zbret të dehurin nga mali…
Shpirti s’pyeti për dhjetor
As për të borës acar
Me atë “shampanjë” në dorë…
Merr i ftohti , flakë si bar…
Piu gllënjkë,e piu një gotë…
I hodhi duart në mes
Puthjet prush mbi hënë plotë
Bëjnë ngadalë syri t’i “vdes”…
Natë e pa limit natë !
Sa pasthirrma zgjuan heshtjen!
Gjuha ,gushës shije mjaltë
Prek antenat mbi rrënqethjen…
Borë a shi a breshër jashtë!?…
Se mes prushit ,verë ju duk
Thëngjilli ,që ra mbi kashtë
Ndezi epsh buzëve pambuk…
S’mund t’ju shmangej dot i “vrari”
Ballit me vetulla, si penjë
Natës ,që s’ju mbyll sipari…
E argjenda mbillte rrënjë…
Mollëzave kish luleshtrydhe
Veshur fustanin gurkali
Si raki lëngu i syve
Zbret të dehurin nga mali…
Tunden perdet prej mëndafshi
Shkojnë në tjetër galaktikë…
Ortegat u shkrinë prej afshi…
Avull …e agimit pikë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT