Thursday, March 19, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina -THËLLËZA & BILBILI Tregim erotik Sipas motiveve të këngës popullore kolonjare-

Qirici Mina -THËLLËZA & BILBILI Tregim erotik Sipas motiveve të këngës popullore kolonjare-


-Sipas motiveve të këngës popullore kolonjare-
“O bandilli im, të paça sa malet,
Pse s’më vjen një natë, bashkë të qajmë hallet?
Mos më hajde ditën, po më hajde natën,
Se na shonë bota edhe zënë e flasën…”
Nata zbriste ngadalë mbi fshat, si një ëndërr e lodhur që kërkonte prehje mbi supet e maleve. Retë përplaseshin me hënën dhe e mbulonin me një shami të hollë mëndafshi.
Ajo rrinte e mbështetur në dritare.
Nuk ishte as vajzë dhe as grua…
Ishte një krijesë nate, të cilës pritja ia kishte shndërruar gjakun në rrymë drite.
Flokët i vareshin mbi supe si perde qiellore.
Trupi i dridhej, jo nga frika, por nga një zjarr i brendshëm që vetëm dashuria e parë mund ta ndezë furishëm.
Pëshpëriti ankthshëm:
-O bandill!
Zëri u tret nëpër natë si një lutje pagane.
-Pse s’më vjen?
Pse ma mban shpirtin pezull?
Era i sillte aromë livandoje dhe lule mali.
Ishte fryma e tij?
Zemra i përvëloi si gur i vendosur mbi prush.
Ishte nata e pestë që e priste…
Befas, hëna u nda më dysh.
Nga drita e saj doli ai.
Jo thjesht djalë por bilbil.
Zog që këndon në dëgët e lisave dhe në petalet e bardha të luleve të mollës në kopshtin e saj.
Ecte si një hije flake.
Kur ai u afrua dritares, universi ndali për një çast.Dritarja u hap magjijshëm vetë, si derë tempulli që pret hyjninë e tij
Kur ai hyri brenda dhoma u mbush me zjarrin e tij.
-Bilbili im, më ke mbajtur zgjuar gjithë netët…- i pshëretiu ajo.
Zëri i dridhej si fije gjethjeje që prek lumin.
Ai i preku lehtë gjoksin, si puthja e një fluture.
-Thëllëza ime!
U takuan si dy rrufetë në qiellin e trazuar që vendosin bashkë të zbresin në tokë.
Ajo mori frymë thellë.
Fryma e parë e një bote të re.
Pastaj ai i rrëshqiti dorën ngadalë nëpër shpatulla, kurriz, bel…
Ajo u lëkund si pemë e mbushur me vesë.
-Si qebap kafeje… më ke rrotulluar…- pëshpëriti, me buzët që kërkonin buzët e tij. Dridhej si fije bari që merr zjarr nga vetëtima.
Ai e puthi ngadatë, lehtë dhe butë.Me brishtësinë, që shkrinte si dyllë i bardhë nën dritën e qiririt.
Nuk ishte puthje e trupit.
Ishte puthje e shpirtit.
E Erosit!
Puthjet zbritën në qafë, në sup dhe përsëri në buzë.
Hyjnore!
Ishin vetëm trup.
Vetëm shpirt.
Vetëm natë.
Dhe nata u bë tempull!
Dhe dhoma u bë altar!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT