Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritTaena Mata -Boshësia e Kafazit të Zbrazët

Taena Mata -Boshësia e Kafazit të Zbrazët

I hapi kafazin zogut
Drejt lirisë
I lirë të fluturonte,
Por zogu i ëmbël
Çudi…
Hezitonte…ndoshta dhe përtonte.

Aty në tokë kish’ lindur
Dhe gjuhën e qiellit nuk e njihte,
Kurrë nuk e kish kuptuar,
Ndaj dhe i hutuar rrinte.
I tromaksur rreth e rrotull shihte
Dhe sytë e tij,
Sfera rrumbullake qelqi
Që me shpejtësi vibronin,
Veç frikën prej qiellit tregonin.

Së fundi, guximin mori,
Ndoshta ajri i lirisë e joshi
Dhe rrugën e panjohur shkeli…

Ndërsa ajo në dhimbje
Tek e pa për herë të fundit
Në fluturim,
Pikë loti syrit i shkoi
Dhe zemër sfilitur
Krahët drejt qiellit çoi
Dhe ju lut me pergjerim
E shpresë
Zogun e saj të mbrojë.

Kur sytë nga kafazi ktheu
Një drithërimë trupin ja preku
Por prapë,
Në boshësinë e kafazit të zbrazët,
Diçka diellore kish mbetur…
Diçka nga e cila kurrë…,
Ajo
S’do mund të çlirohet …

Pse aq shumë zogun e deshi
Pse aq shumë atë e donte .

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT