Friday, March 27, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-ME GJAKUN TIM TË SHKRUAJNË FËMIJËT SHKRONJAT SHQIPE Balada e mësuesit...

Qirici Mina-ME GJAKUN TIM TË SHKRUAJNË FËMIJËT SHKRONJAT SHQIPE Balada e mësuesit të popullit Petro Nini Luarasi, sipas rrëfimit të djalit, Skënder Luarasi

Nuk e kisha parë të vinte ndonjëherë në redaksinë e gazetës sonë.
Ndoshta ishte 80 vjeç, a ndoshta më shumë.
Syri i djathtë i pikonte një lëng të bardhë, që i rrëshqiste ngadalë mbi faqen e rreshkur.
Lot, dhimbje, apo mosha?
-Babanë tim e helmuan, o bir! – psherëtiu si për të nisur bisedën.
-Pse?- pyeta i habitur.
-U mësonte fëmijëve shkronjat shqipe…
-Cili jeni, ju zotëri?- pyeta sërish i shtangur.
I moshuari heshti paksa dhe fshiu me pëllëmbën e dorës pikën e lotit.
-Jam Skënder Luarasi!
-Djali i mësuesit të popullit, Petro Nini Luarasi?
Përballë kisha profesorin, arkitektin, përkthyesin, dramaturgun, publiçistin, studiuesin, luftëtarin e Spanjës, shok lufte me Mehmet Shehun dhe shkrimtarin Petro Marko.
Iu hodha në qafë.
-Unë jam Petroninas! Kam qënë nxënës i kësaj shkolle.

  • Tim atë e thirri në Ersekë kryatari i komunës.
    Ishte 17 gushti i vitit 1911.
    -Më mer edhe mua në Ersekë!- iu luta.
    -Le të vijë më ty, Petro, – tha nëna.-Tani djali është bërë burrë. Në janar mbushi 11 vjeç.
    Më hipi në vithe të mushkës dhe u nisëm.
    Sa i lumtur ndihesha!
    Ku ta dija se ishte udhëtimi im i fundit me babanë?
    Kur mbërritëm në Ersekë e lidha mushkën në oborrin e hanit.
    Babi hyri në komunën e Ersekës. Punonjësit osmanë e vështruan egërsisht. Nuk u pëlqente mësuesi që kishte hapur shkolla shqipe në gjithë fshatrat e Kolonjës.
    E nisi në vitin 1882 me shkollëne Bezhanit, fshatin në këmbët e Gramozit.
    Fshehurazi.
    Në një plevicë të vjetër kashte.
    Fshatarët e quajtën “Plevica e Diturisë”.
    Ishte vetëm…17 vjeç.
    Atë mot kishte mbaruar shkollën e seminarit të Qestoratit, por me dashuri dhe flakën në zemër.
    Shkollat shqipe ishin për të mision.
    Dituri!
    Dashuri!
    Jetë!
    Liri!
    Ulur mbi një gur në sheshin e qytezës vështroja malin e Gramozit. Një pllakë dëbore ende e pashkrirë.
    Qeleshe e bardhë mbi kokën e tij.
    Befas u dëgjua thirrja ogurzezë e tellallit:
    -O milet, Petro Nini Luarasi ka kolerë!
    O milet,mos iu afroni Pero Nini Luarasit! Kolera do iu ngjitet dhe juve.
    E ka zënë mallkimi i dhespot Fillaretit….
    Dyqanet ulën qepenat e ndryshkura.
    Njerëzit vraponin të tmerruar. Për çfarë kolere thërriste tallalli? Im atë ishte shëndoshë e mirë kur hyri në komunë.
    Mal, si mali i Gramozit!
    Ujë i pastër, si lumi i Osumit!
    Dritë dhe mirësi!
    Guxim dhe dashuri për gjuhën shqipe!
    -Mer mushkën, bir!- më tha kur erdhi pranë meje.-Të kthehemi sa më parë në Luaras.
    Nga buzët dhe goja i dilte vazhdimisht një shkumbë më ngjyrë të çuditëshme!
    -Helm bir… me kafen që më dhanë…Mos u tremb. Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën shqipe nuk e vrasin dot.
    Është fara që kam mbjellë.
    Fara e diturisë ka mbirë tani në zemrat e gjithë kolonjarëve.
    Farmacia mbylli derën. Im atë trokikti disa herë, po askush nuk u përgjigj.
    -E kanë bërë më fjalë, të poshtërit. Patriarkana, kisha greke, osmanët, Stambolli, armiqtë e Shqipërisë.
    Thirrja e tellallit përhapej si klithma e korbit të zi.
    -Petro Nini Luarasi ka kolerë!
    Burri me mustaqe të zeza iu gërmush tellallit:
    -Kolera iu ka zënë juve, o të paudhë!
    I lau buzët me ujët e stamës që mbante në dorë.
    -Mësues, jam Llazi i Bezhanit! Lërmë të të puth dorën! Kjo dorë e shenjtëruar më mësoj të shkruaj gjuhën tonë, gjuhën e bukur shqipe.
    -Sa je rritur, bre Llazi! Ju do vazhdoni rrugën time. Gjuha shqipe është si mali i Gramozit. Aq sa trëmbet ai nga rrufetë, aq trembet edhe gjuha shqipe nga turkoshakët e grekomanët.
    -Drita e diturisë përpara do na shpjerë, zoti mësues. I ka thënë Naim Frashëri këto fjalë.
    Zotërote na i thoshe neve.
    Ne ua thoshim të tjerëve.
    Në gjithë fshtrat e Kolonjës sonë martire.
    Kur e hipa babanë në samarin e mushkës sheshi ishte mbusgur plot me njerëz.
    Një grua psherëtiu me dhimbje:
    -Na e helmuan mësuesin!
    Donte shqipërinë!
    Shkronjat shqipe!
    Lirinë e mëmëdheut!
    -Është dora e Fillaretit.- thirr Llazi i Bezhanit.-E mbani mend si e nëmi kryepeshkopi i Kosuturit?
    “Gjuha shqipe është e mallkuar dhe nuk ekziston.”
    Petro Nini, iu përgjigj:
    “Gjuha shqipe është gjuha e perëndive! Çdo popull ka të drejtë të shkruajë e të falet në gjuhën e vet.”
    Atë pasditë të vonë të 17 gushtit 1911 nuk mbërritëm dot në Luaras.
    Ima atë dha shpirt në shtëpinë e Paro Kitës në Gostivisht.
    Të nesërmën ngordhi edhe mushka.Kishte lëpirë të vjellat e babait mbi qafën e saj.
    Aq i fortë ishte helmi në kafen që i kishin hedhur!
    Kapedan Spiro Bellkameni erdhi për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
    Luftëtarët e lirisë qëlluan me batare pushkësh.
    Krismat u treten mbi malin e Luarasit dhe luginën e Osumit.
    Im atë ishte dyzet e gjashte vjeç.
    Ai e dinte se çdo fjalë shqipe e shkruar ishte një sfidë ndaj errësirës. Por nuk u tërhoq. “Edhe po të më vrisni, mblidhmani gjakun, se iu duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe.”
    Fjala e tij u bë betim!
    U bë testament!
    Gjaku i tij u bë bojë për abetaret e brezave.
    Dritë për shkollat e Kolonjës.
    Frymë për Mësonjëtoren e Korçës.
    U shndërruat në alfabet.
    Në fjalë!
    Në komb.
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT