Qëndroj e ulur e hedh sytë në horizont,
atje ku akoma më flenë dëshirat e mia,
mbështjellë me mantelin e diellit që perëndon,
më bëhet sikur më buzëqesh nga largësia.
Shoh se në gjoksin e tij pushon e nesërmja,
si një zog që pret çastin e fluturimit,
si kandil i varur në duart e mbrëmjes,
shpresa thërret: pranvera vjen pas dimrit.
Vazhdoj në sytë e mi të mbaj horizontin,
atë kopësht t’pafund të hapave të ardhshëm,
urë e artë ku ëndrrat e mia kalonin zbathur,
det që kurrë s’e preka a notoj pa ndalur.
Ndërsa horizonti para meje ngadalë rritet,
krahëhapur për të mbuluar ëndrrat e mia,
mësoj se pafundësia nuk është e largët,
po rruga ku qëndroj lirshëm, vetë liria.
