Tregu i transferimeve te Real Madridit po rezulton tejet interesant këtë verë. Ardhja e përforcimeve të reja po e detyron klubin madrilen të marrë vendime të ndjeshme për përbërjen e skuadrës.
Aktualisht, deri në shtatë futbollistë janë nën vëzhgim nga drejtuesit e klubit: Raul Asencio, Fran Garcia, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Franco Mastantuono, Brahim Diaz dhe Gonzalo Garcia.
Asgjë nuk është vendosur përfundimisht, por drejtuesit sportivë tashmë po punojnë në një skenar kompleks të afatit kalimtar.
Politika e transferimeve të Real Madridit ka ndryshuar fokus gjatë ditëve të fundit. Pas avancimit me afrimet e reja, klubi duhet të krijojë hapësirë në skuadër përpara se të realizojë lëvizje të tjera.
Rastet e Asencios dhe Garcias konsiderohen më të qarta, pasi të dy kanë vlerë të lartë në treg dhe mund t’i sigurojnë klubit të ardhura të konsiderueshme, pa prekur boshtin kryesor të ekipit.
Në mesfushë, situata është më delikate. Camavinga dhe Tchoumaeni janë futbollistë të nivelit të lartë, me kontrata afatgjata dhe vlerë të madhe ndërkombëtare. Megjithatë, Real Madridi është i vetëdijshëm se një shitje në këtë repart do t’i siguronte fonde shtesë për operacionet e ardhshme në afatin kalimtar.
Edhe Brahim figuron në listën e lojtarëve që mund të largohen, por rasti i tij është ndryshe. Sulmuesi ka dëshmuar se është një lojtar i gjithanshëm, duke luajtur në disa role, por rritja e konkurrencës në repartin ofensiv mund t’ia kufizojë minutat në fushë.
Ndërkohë, e ardhmja e Garcias do të varet nga planet e klubit për sulmin. Vendimi për të mund të merret pas fazës përgatitore verore, në varësi të faktit nëse do të ketë vend për një sulmues rotacioni.
Sa i përket Mastantuonos, opsioni më i mundshëm është huazimi dhe jo shitja. Talenti argjentinas ka nevojë për vazhdimësi në aktivizim dhe Real Madridi nuk dëshiron të pengojë zhvillimin e tij.
Zgjidhja më logjike konsiderohet huazimi te një klub ku ai do të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe të marrë më shumë përgjegjësi./Demokracia.com/
