Han i Elezit – Pas një ceremonie hapëse të shoqëruar me performancën artistike “Mal Everest & Makina e Dritës”, Crossroads Festival 2026 vazhdon rrugëtimin e tij me një program të pasur artistik dhe kulturor, i cili do të zgjasë deri më 5 korrik.
Mbrëmja e parë e festivalit solli në skenë artistin Mal Retkoceri, i njohur me emrin artistik MAL EVEREST, i cili me interpretimin e tij autentik dhe energjinë skenike krijoi një atmosferë të veçantë për publikun e pranishëm. Performanca e tij, e kombinuar me elemente vizuale dhe ndriçim artistik, shënoi nisjen e një festivali që synon të promovojë artin, muzikën dhe shkëmbimin kulturor.
Edhe dy netët e mbetura të Crossroads Festival do të sjellin koncerte, performanca artistike dhe aktivitete të ndryshme kulturore, duke e shndërruar Hanin e Elezit në një qendër të rëndësishme të ngjarjeve artistike dhe kulturore në Kosovë.
Organizatorët bëjnë të ditur se festivali synon të krijojë një hapësirë ku artistët dhe publiku bashkohen përmes muzikës, kreativitetit dhe përvojave të përbashkëta. Programi është konceptuar për të ofruar përmbajtje të larmishme dhe argëtuese për të gjitha grupmoshat.
Qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë Kosova ftohen të bëhen pjesë e dy netëve të fundit të festivalit dhe të përjetojnë atmosferën unike që sjell Crossroads Festival 2026.
Hyrja në të gjitha aktivitetet është falas.
Crossroads Festival 2026 mbahet në Han të Elezit nga 2 deri më 5 korrik, duke sjellë katër ditë të mbushura me muzikë, art dhe aktivitete kulturore.
Vlen të theksohet se Drejtor i Përgjithshëm i Crossroads Festival 2026 është Armend Ballazhi, ndërsa producente e festivalit është Zana Duraku, të cilët kanë udhëhequr realizimin e kësaj ngjarjeje kulturore me synimin për ta shndërruar atë në një traditë të rëndësishme artistike në vend.
Në vijim gjeni edhe sponsorët dhe organizatorët që kanë mbështetur realizimin e Crossroads Festival 2026.


