Sonte nata ra ngadalë,
qepallat uli lehtë, pa zhurmë
ti u shfaqe si yll e ndrije nga larg,
rreze pulsoje
dhe shtoje aritminë tek unë.
Mbrëmja u mbyt në terrin e saj,
dhe si për inat ti shtoje vezullimin,
malli ngrihej si shpend shtegtar,
e drejt ëndrrës niste fluturimin.
Një puhizë vese më prekte ngadalë,
si një pëshpërimë e ardhur nga larg,
çdo rrahje zemre bëhej udhëtim,
drejt teje humbiste pak nga pak.
Tani orët shtyhen drejt mesnatës,
i trembem vetmisë gjer në harbim,
ruaje, të lutem, një shteg nga ato të artët,
të kalojë qetësisht meraku im.
