Lindi në vitin më 22 shkurt 1947 në Korçë.
Kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Punoi ne teatrin “A.Z Cajupi” të Korçës deri në vitin 1979, më pas si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1989 dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës, deri më 1991.
Në vitin 1993 emigroi per gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer serish ne vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombetare e Kulturës “Pjeter Arbnori”. Roli i tij i parë është ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) te Minush Jeros me regji te Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”.

Minella Borova u shqua me fort si aktor i planit satirik, por herë-herë edhe lirik e romantik. Në lojën e tij spikat një humor i çlirët, shije e hollë, një sjellje e shpenguar, njëherazi edhe elegante, ku ndihet synimi për të skicuar tipa e karaktere të ndryshëm.
Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, 1970; Martini te “Mosha e bardhë” e Dritwro Agolli, 1972; Stenli Kor tek “Engjëjt e sketerrës” e George Bellak dhe Pol Kanten, 1972; mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, 1974; hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Lacos, 1978; Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafezezit, 1984; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahes*, 1986 etj. Në vitin 2007 pas një ndërprejeje rreth 15 vjecare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina, me te cilin riafirmoi talentin e tij si aktor që gërsheton mirë rrafshet psikologjike me ato humoristike e satirike, duke kaluar sa nga njeri te tjetri.
Minella Borova fitoi emër më fort si aktor i filmit, ku ka realizuar nje spektër të gjerë figurash të dimensioneve e karaktereve të ndryshme si tek “Udhëtim në pranverë”, “Rrugë të bardha”, “I treti”, “Pylli i lirisë”, “Rrethimi i vogël” dhe vecanërisht me rolin e oficerit fashist në filmin “Në fillim të verës”.
