BallinaVitrina e libritUarda Albunesa-Tradhtia!

Uarda Albunesa-Tradhtia!

— A e sheh atë det përtej gardhit, biri jem?

Djali ngriti sytë. Përtej telave të naltë shndriste një brez i kaltër që përzihej me qiellin. Valët përplaseshin lehtë në breg, sikur thirrshin dikënd prej larg.

— Po, nanë.

Nanës iu vizatue në fytyrë një buzëqeshje e ambël, e përzieme me mall.

— Kur kam kenë sa ti, gjyshi jem e dajat më sillshin shpesh këtu. Në këto ujëra kam mësue me notue për herë të parë. Këtu i kam kalue verat ma të bukura të fëmijnisë teme.

Djali e ndigjonte me sytë e ngulun te deti.

— Due edhe unë, nanë, me u la aty… Po ky gardh nuk më len. Kur kanë me e hjekë? Unë due me shkue në det.

Zani i tij u drodh e sytë iu mbushën me lot.

Nanës iu shtrëngue zemra. U ul pranë tij e ia kapi dorën e vogël.

— Mos u mërzit, bir. Një ditë ky gardh ka me ra.

— Kanë me e rrëzue?- pyeti djali.

Ajo e pa drejt në sy.

— Jo. Nëse duhet, kemi me e rrëzue na.

Djali hodhi vështrimin kah telat e naltë e tundi kryet me dyshim.

— Po ai asht shumë i madh, nanë. Nuk kena me mujtë.

Një puhizë e lehtë erdhi prej detit e ia lëkundi flokët. Ajo ngriti sytë kah horizonti, sikur po shihte përtej viteve, përtej pengesave e përtej kohës.

— I madh asht, bir. Po ma e madhe asht dëshira jeme që ti me e gëzue tokën e të parëve të tu.

Djali heshti. Dora e tij e vogël u shtrëngue fort për dorën e nanës.

Ajo u përkul pranë tij e i foli me një za të qetë, që tingëllonte ma shumë si amanet se sa si këshillë:

— Mbaje mend gjithmonë, biri jem… Ka vetëm një tradhti: tradhtia ndaj atdheut.

Përballë tyne, deti vazhdonte me shndritë nën rrezet e diellit. Gardhi qëndronte ende aty, i ftohtë e i heshtun. Por në zemrën e një nane e në sytë e një fëmije kishte lindë diçka ma e fortë se hekuri: besimi se asnji gardh nuk zgjat përgjithmonë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT