BallinaVitrina e libritDonika Stasa Domi-Duke të kërkuar ty

Donika Stasa Domi-Duke të kërkuar ty

Duke të kërkuar ty,
preka me mollëza gishtash,
një e nga një,
ngjyrat e ylberit,
derisa koha, me shtiza dielli,
thuri një shall prej fijesh drite
që ende, edhe sot,
më ruan shpatullat nga erërat.

Të prita
aty ku feksja e agimit
ia bënte mijëra copë
pasqyrën qiellit.
Të kërkova
në dhembshurinë e një nëne
që më bekonte rrugët
sa herë që në ikje
hapat e mi
krijonin harta të reja fatesh.

Duke të të dashur ty,
s’di ku harrova veten,
teksa nxitoja
të të puthja
shpirtin e bardhë.

Ndoshta
në të kaltrën e irisit
që më dehte me turbullimin,
si deti në pritje të shtërngatës.

Ndoshta mbi një ëndërr
që përpëlitej qerpikëve
natës së vonë,
a si një flutur krahëngarkuar
me polen yjesh,
që, në jetën e shkurtër,
nxiton të prekë
magjitë e kësaj bote.

Të gjeta
në mijëra herët që të humba
brenda shpirtit tim.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT