Nga koha e atij moti të madh,
Rrëshqitëm, rrëshqitëm e rrëshqitëm,
Tatëpjetës sonë s’i erdhi kurrë fundi,
Veçse në det, për pak, nuk ramë.
Dhimbje u mbollën, u mbollën pa fund,
Plagë të mëdha në zemrën e kombit,
Lotët në sytë tanë kurrë nuk shteruan,
E gjaku i derdhur mbi këtë tokë
U bë yll lirie në shpirtin e arbërit.
Ajo kohë e Gjergjit trokiste ndër shekuj,
Kujtesa e lashtë pareshtur na thërriste,
Gjakun e arbërit ta ruanim me fanatizëm,
Që mbi tokën tonë të shenjtë
Të mos mbinte kurrë farë e huaj.
Dhe sot, mbi dhimbjen tonë krenare,
Në luftëra të përhershme, pa u ndalur,
Të shtypur, të shpërndarë e të copëtuar,
Përpiqemi edhe një herë
Veten tonë ta rimarrim.
Zgjohu, o racë e bekuar arbërore, zgjohu!
Kujtoje edhe një herë atë kohë të lavdishme,
Që ndër shekuj na mbajti gjallë,
Që na la trashëgim krenarinë e qëndresës
Dhe amanetin e lirisë.
Zgjohu me besa-besë për bashkimin,
Me besën e lashtë të të parëve tanë,
Që të mos mbetemi të ndarë ndër shekuj,
Por të bashkuar, me zemër e me shpirt,
Për Shqipërinë tonë arbërore!
