Pasi ty të zë gjumi
në netët e tua,
malli im i fshehur del
dhe shtrihet rrugëve…
Kërkon një dritare,
ku kokën të mund ta fusë,
të shtrihet pranë teje
e të rrijë urtë, pa bërë zhurmë.
Por malli im shteg dot nuk gjen,
se dritares sate çdo natë
ti ia vendos shulin…
•
E kështu, në parvazin e drunjtë,
aty pranë dritares sate,
malli im fle i heshtur,
të të ruajë gjumin,
që ti të flesh i qetë.
•
E kur dita zgjohet,
ai mblidhet sa një grusht
dhe kthehet te unë,
në zemrën time të shkretë,
që nga pesha e tij
mezi po merr frymë.
Koha nuk ecën më,
as natën, as ditën…
Dhe unë nuk di të hedh një hap
pa të të mbajtur në shpirt.
•
Eci, eci,
duke kërkuar një udhë,
një vend ku ta lë këtë mall,
një prehje për sytë e mi,
që të lodhur nga pritja
ende kërkojnë ty.
•
Dhe kur të marrë fund
i gjithë ky mundim,
kur të mos ketë më dritare të mbyllura
e as net që na mbajnë larg,
do të bërtas me zë të madh,
që ta dëgjojë edhe qielli:
— Më në fund, i lirë!
Në krahët e tu!
