Prof. dr. Sadri Rexhepi
Më 22 nëntor 2026 shënohet 118-vjetori i përfundimit të Kongresit të Manastirit, një prej
ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare, arsimore dhe kulturore të
shqiptarëve. Kjo datë përfaqëson një manifestim të rëndësishëm të kujtesës sonë
kombëtare, të arsimit shqip, të shkollës dhe të kulturës shqiptare, kudo ku jetojnë
shqiptarët.
Shtëpia e Fehim Zavalanit, ku u mbajt Kongresi i Manastirit në 14-22 nëntor 1908 (që
nga nëntori 2012, Muzeu i Alfabetit Shqip)
Dita e 22 nëntorit 1908 është një datë e madhe për arsimin dhe kulturën shqiptare.
Kongresi i Manastirit shënoi një kthesë historike në rrugëtimin e gjuhës shqipe, duke i
dhënë kombit tonë një alfabet të njësuar, i cili u bë themeli i zhvillimit të mëtejshëm të
arsimit, të letërsisë dhe të kulturës kombëtare.
Për këtë arsye, kjo ditë meriton të kujtohet dhe të nderohet me respektin më të madh.
Arsimi ishte dhe mbetet njëra ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të një kombi. Ai e nxori
popullin shqiptar nga errësira e padijes, i hapi rrugën dritës së dijes dhe i dha
perspectivë zhvillimit të tij shoqëror, kulturor dhe kombëtar.
Duke u nisur nga ky këndvështrim, sot kujtojmë me nderim të veçantë burrat e mëdhenj
të kombit shqiptar, të cilët jo vetëm që hodhën themelet e njësimit të alfabetit të gjuhës
shqipe, 118 vjet më parë, por edhe u angazhuan për çështjen madhore të bashkimit
dhe të ardhmërisë kombëtare. Në frymën e Rilindjes Kombëtare, çështja e alfabetit
ishte e lidhur ngushtë me synimet për arsimimin, emancipimin dhe çlirimin e popullit
shqiptar.
Kjo ditë shënohet me qëllim të ngritjes dhe të kultivimit të traditave të shkollës
kombëtare, të vlerësimit të figurave të shquara arsimore, kulturore dhe historike, si dhe
të nderimit të të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin dhe mbajtjen e Kongresit të
Manastirit.
Roli i tyre në edukimin dhe zhvillimin e gjithanshëm arsimor e kulturor të kombit shqiptar
është i jashtëzakonshëm. Vepra e tyre përcillet brez pas brezi dhe vazhdon të jetojë
edhe në ditët tona.
Prandaj, kurrë mos u harrofshin emrat e 50 delegatëve dhe pjesëmarrësve që u
mblodhën në Kongresin e Manastirit dhe kontribuuan në njësimin e alfabetit të gjuhës
shqipe, të cilin e përdorim edhe sot. Ky alfabet, i mbështetur në shkronjat latine,
dëshmoi përshtatshmërinë, thjeshtësinë dhe funksionalitetin e tij, duke u bërë një
instrument i fuqishëm i zhvillimit të gjuhës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Ndër figurat më të ndritura që punuan dhe kontribuuan për mbajtjen e Kongresit tëManastirit, të cilat meritojnë të kujtohen me respektin më të madh kombëtar, janë:
Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Shahin Kolonja,
Thomas Avrami, Nyzhet Vrioni, G. Cilka, Dh. Buda, B. Topalli, S. Peci, Gj. Qiriazi e
shumë të tjerë.
Rreth zhvillimeve kulturore dhe kombëtare të Kongresit të Manastirit është shprehur
edhe shkrimtari ynë i mirënjohur, me renome botërore, Ismail Kadare. Gjatë promovimit
të veprave të tij E bija e Agamemnonit dhe Pasardhësit, në Shkup, ndër të tjera, ai
kishte vlerësuar lart alfabetin e gjuhës shqipe, duke theksuar se ai është i
mrekullueshëm, i përshtatur mirë me veçoritë e gjuhës shqipe, i përkryer dhe i njësuar, i
cili i ka qëndruar kohës. Sipas Kadaresë, alfabeti shqip, i mbështetur në traditën
kulturore latine, është një dëshmi e rëndësishme e zhvillimit tonë kulturor.
Sot, më 22 nëntor 2026, kur shënojmë 118-vjetorin e përfundimit të Kongresit të
Manastirit, kujtojmë një ngjarje që shënoi kthesë thelbësore në historinë e popullit
shqiptar, veçanërisht në historinë e Rilindjes Kombëtare. Kjo datë përfaqëson një
ngjarje madhore politike, arsimore dhe kulturore, e cila ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e
vetëdijes kombëtare dhe në zhvillimin e arsimit shqip.
Dëshira për arsimim dhe edukim në gjuhën shqipe, përmes abetares sonë të bukur, të
ndërtuar mbi bazën e alfabetit të njësuar në Kongresin e Manastirit, ishte një ndër
idealet më të mëdha të rilindësve dhe të brezave që erdhën pas tyre. Qëllimi ishte
ngritja arsimore dhe intelektuale e popullit shqiptar, sepse dija është fuqi, mësimi është
forcë, ndërsa arsimi është dritë që e nxjerr popullin nga errësira dhe ia hap portat e
lirisë, të çlirimit dhe të emancipimit.
Populli martir i Kosovës, sidomos gjatë periudhave më të rënda të okupimit serb, e
përjetoi në mënyrë të veçantë dhe të dhimbshme të vërtetën e kësaj thënieje. Për
shqiptarët e Kosovës, shkolla shqipe nuk ishte vetëm institucion i dijes, por edhe vatër e
qëndresës kombëtare, e ruajtjes së identitetit dhe e mbrojtjes së gjuhës e të kulturës
sonë.
Prandaj, në të gjitha periudhat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, edhe në kohët më të vështira
për arsimin dhe shkollën shqipe, ata që i prinin kombit i kushtuan rëndësi të veçantë
edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj. Pikërisht përmes dijes, shkronjave shqipe dhe
përkushtimit ndaj shkollës u edukuan breza të tërë, të cilët vazhduan rrugën e
përpjekjeve kombëtare deri te çlirimi dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Natyrisht, edhe historia më e re e Kosovës, në fushën e arsimit dhe të edukimit, është e
pasur me personalitete të shquara, të cilat e kuptuan rëndësinë e dijes dhe të shkollës
në zhvillimin e shoqërisë. Ata punuan pa u lodhur, ditë e natë, për arsimimin e rinisë
shqiptare, duke mbrojtur dhe kultivuar gjuhën shqipe dhe alfabetin e njësuar të
Kongresit të Manastirit.
Shumë figura të ndritura të historisë sonë moderne punuan, vepruan dhe u angazhuan
pa u ndalur për arsimin shqip, për shkronjat e Naimit të madh dhe për përhapjen e dijes
në mesin e popullit shqiptar. Ata u përpoqën që alfabeti ynë të rrënjosej thellë në
mendjen dhe shpirtin e fëmijëve e të nxënësve shqiptarë, sepse e dinin se vetëm një
popull i arsimuar mund ta ndërtojë të ardhmen e vet mbi themele të qëndrueshme.
Prandaj, Kongresi i Manastirit nuk duhet parë vetëm si një ngjarje historike e vitit 1908,
por si një akt i madh i vetëdijes kombëtare, i bashkimit kulturor dhe i përkushtimit ndaj
së ardhmes së popullit shqiptar.
Alfabeti ynë është trashëgimia e çmuar e rilindësve, ndërsa ruajtja, pasurimi dhe
kultivimi i gjuhës shqipe është detyrim i çdo brezi.
Nderim të përjetshëm për delegatët e Kongresit të Manastirit dhe për të gjithë ata që
sakrifikuan për gjuhën, shkollën dhe kulturën shqiptare!
