Bayern Munich mund të përballet me probleme sa i përket të ardhmes së Michael Olises, pasi pakënaqësitë e krijuara brenda klubit nga mënyra se si është menaxhuar situata e Jamal Musialës kanë ndikuar edhe te sulmuesi francez.
Olise, 24-vjeçar, ka kontratë me bavarezët deri në qershor të vitit 2029, por deri më tani nuk kanë nisur bisedimet për vazhdimin e saj. Kjo situatë ka bërë që disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë Real Madridin, ta përcjellin me vëmendje të ardhmen e tij.
Tensionet rreth Musialës, pas kritikave publike të Karl-Heinz Rummenigges dhe reagimit të Joshua Kimmichit në mbrojtje të bashkëlojtarit, duket se kanë krijuar pakënaqësi në ambientin e klubit. Kimmich ka dalë hapur në mbështetje të Musialës, një qëndrim që raportohet se është përkrahur edhe nga një pjesë e madhe e futbollistëve të tjerë.
Në këtë situatë, Olise, i cili ka marrëdhënie të afërt me Musialën, thuhet se ka filluar të ketë pikëpyetje rreth atmosferës dhe mënyrës së funksionimit të projektit sportiv të Bayern Munichut.
Francezi ka reaguar edhe në rrjetet sociale ndaj një publikimi që përmbante kritika të FIFPRO-s për klubin bavarez, veprim që ka nxitur spekulimet rreth pakënaqësisë së tij.
Megjithatë, deri më tani Olise nuk ka bërë asnjë deklaratë publike që do të konfirmonte dëshirën për t’u larguar nga Gjermania.

Ndërkohë, Real Madridi po e përcjell me interes situatën e tij. Drejtuesit madrilenë e vlerësojnë shumë profilin e francezit, i cili dallohet për aftësitë individuale, shpejtësinë dhe cilësinë për të bërë diferencën në krahët e sulmit.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të ishte aspak i lehtë. Olise ka kontratë deri në vitin 2029, nuk raportohet të ketë një klauzolë largimi dhe Bayern Munich nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Pavarësisht kësaj, mungesa e bisedimeve për rinovimin e kontratës dhe tensionet e krijuara rreth Musialës mund të ndikojnë në të ardhmen e francezit, duke e bërë situatën e tij një çështje për t’u përcjellë me vëmendje gjatë muajve të ardhshëm. /Telegrafi/
