Qeveria e Kosovës deri më tani ka mbështetur sanksionet e vendeve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, përfshirë ngrirjen e disa aseteve dhe goditjen e 654 individëve e 52 subjekteve, ndonëse ka shumë pak gjasa të kenë lidhje me Kosovën.
Në mesin e pakove të sanksioneve, edhe sipërmarrjet me origjinë ruse në shumë vende të Evropës janë bërë shënjestër.
Në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës bëhet regjistrimi edhe i degëve të shoqërive të huaja tregtare.
Ndonëse i ka pyetur Periskopi, nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk kanë treguar se sa shoqëri tregtare të huaja me origjinë ruse janë në Kosovë. Ata kanë theksuar vetëm numrin e shoqërive të huaja dhe sektorët në të cilët operojnë.
Sipas ministrisë janë 1 mijë e 102 degë të huaja të regjistruara si biznese.
“Nga ky numër top pesë sektorët janë: Industria përpunuese e prodhimit -87 biznese të huaja, Ndërtimtaria 296 biznese, Tregtia me Shumicë dhe Pakicë -Riparimi i Mjeteve Motorike dhe Motoçikletave, 201 biznese, Informimi dhe Komunikimi, 79 biznese, Aktivitete Profesionale Shkencorë dhe Teknike, 192 biznese”, kanë bërë të ditur nga MINT për Periskopin.
Banka Qendrore e Kosovës ka obliguar të gjitha bankat në Kosovë që të ngrinë asetet e rreth 700 personave që janë vendosur në ‘listën e zezë’ nga BE, por edhe nga shteti i Kosovës.
Në BQK nuk kanë treguar se sa prej këtyre individëve kanë pasur asete në bankat e Kosovës.
“Ju lutem që kërkesën ta adresoni tek Shoqata e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale”, kanë thënë nga BQK.
Ndërsa Shoqata e Bankave nuk është përgjigjur.
Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i bizneseve me origjinë nga Rusia ndodhen në Shqipëri. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, disa sipërmarrje me pronësi ruse operojnë dhe rezulton se në total janë 68 të tilla, ku 63 janë me pronësi 100% të huaj, pra ruse në rastin konkret, ndërsa vetëm 5 janë në bashkëpronësi me sipërmarrës shqiptarë.