Wednesday, February 5, 2025
BallinaVitrina e libritLEFTER ÇIPA: ANKOHET I MIRI, I LIGU LOZ LETRA…

LEFTER ÇIPA: ANKOHET I MIRI, I LIGU LOZ LETRA…

Se jetës së gjatë, s’i dihet sekreti,
dhe vdekja më nxiu, po jeta më shkrepi.
Në më mbyttë deti, do më nxjerrë lumi,
zogu sapo vjen, fluturon pëllumbi.

Ata që më duan, dorën më shtrëngojnë,
si një përshëndetje, këngën më kujtojnë.
Nuk jetoj nga buka, kam jetë nga shpirti,
vritem nga të gjitha, por më shumë nga syri.

Me një bastun druri, trokëllij mbi tokë,
toka gjak më vuri, qielli djalë më thotë.
Guri që më deshi, më zgjoi natyra,
kur nata më qeshi, erdh’ më mori dita.

Kur merr këngën fati, dreqi është tërbuar,
me shpatë inati, ëngjëll i copëtuar.
Doni që ta dini: Ligjet janë të serta,
ankohet i miri, i ligu loz letra.

Ç’mban dheu brenda, kush dheun e hapi?
Me lotë qan veç nëna, ati qan i pari.
Kujt i vritet zemra, i pikon dhe gjaku,
vesë po s’hodhi Hëna, nuk rritet zambaku.

Me një bastun druri trokëllij mbi tokë
Nuk jetoj nga buka, jo në këtë botë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT