Sonte nën dritat e Old Trafford’it ikonik, në prezencë të 75 mijë tifozëve, me miliona të tjerë që shikonin nga televizori, Cristiano Ronaldo nuk ngurroi të dhurojë spektakël, shkruan Gazeta Metro.
Fundjava e kaluar kishte qenë për t’u harruar për portugezin, i cili mungoi në disfatën e turpshme të klubit të tij ndaj rivalit të qytetit, fundjavë e cila e përcolli Ronaldon me shumë thashetheme rreth mungesës së tij, dëshirës për t’u larguar e kështu me radhë.
Por, një gjë të cilën ndjekësit e futbollit e kanë mësuar tash e sa vite, është fakti se aftësia e Cristiano Ronaldos për t’ja mbyllur gojën kritikëve nuk bën të vihet në dyshim.
Ndeshja kundër Tottenham në letër ishte e vështirë për ‘Djajtë’ e Ralf Ragnick, të cilët hynin në lojë me një formë tejet të dobët. S’pritej shumë nga ekipi nikoqir, por Ronaldo kishte mendime të tjera.
Goli i parë, i cili ishte edhe më i bukuri, erdhi herët në ndeshje, në minutën e dymbëdhjetë. Ronaldo godet topin me fuqi të jashtëzakonshme nga një distancë e konsiderueshme. Portieri Lloris e shikon topin teksa kalon vijën e golit dhe rrotullohet në rrjetë.
Shpejt djemtë e Antonio Conte u kthyen, pas një penalltie të konvertuar me sukses nga asi Harry Kane, por edhe më shpejt reagoi numri shtatë i United.
Nga një dalje e mençur e Jadon Sancho në krahun e majtë, anglezi arriti për mrekulli të gjejë hapësirën e duhur që në fund ta shërbente Ronaldon në një ‘pjatë të artë’, të cilën ky i fundit nuk dështoi ta shfrytëzonte.
As në pjesën e dytë mbrojtja e dobët e United nuk befasoi. Tash ishte kapiteni Harry Maguire, i cili e çoi topin në rrjetën e portierit të tij. Prapë ankth për miliona tifozë të Manchesterit në tërë globin. Prapë tjetër ndeshje ku United lëshon pikë…
Dhe gol, përsëri, nga kush tjetër pos Ronaldo. Këndore për United, me Stretford End që e shtynte ekipin përpara. Zgjatje e mrekullueshme e portugezit dhe topi, për të tretën herë në atë ndeshje, përfundon në rrjetë për shkak të Cristianos. Tre gola për Ronaldon, tre pikë për United.