Wednesday, February 5, 2025
BallinaKulturëFilmSot aktori i mirënjohur Birçe Hasko feston 80- vjetorin e lindjes

Sot aktori i mirënjohur Birçe Hasko feston 80- vjetorin e lindjes

Birçe Hasko. Aktor, pedagog. Lindi në fshatin Dukat, rrethi i Vlorës, më 15 mars të vitit 1942. Më 1961, mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”, punoi disa vite mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të rrethit të Tepelenës dhe Poro të rrethit të Vlorës, deri në vitin 1965. Kreu studimet për aktor 1965-1969 në Institutin e Lartë të Arteve dhe nga viti 1969 e në vijim punon si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve. Ka kryer detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik në këtë Akademi (1989-1994).Ka interpretuar role kryesisht të planit komik në teatër, si Milo Tafanin në komedinë “Shi në plazh”, 1983, e Teodor Laços, Abaz Kola në komedinë “Shtëpia me dy porta”, 1984, e Ruzhdi Pulahës, Shazo në dramën “Familja e peshkatarit”, 1984, e Sulejman Pitarkës etj.Natyrë vetiu që mundëson aspekte “komike” dhe “fshatarake” (nga vetë mënyra e reagimeve, fizionomia, të folurit etj.); ai ndërfuti në rolet e tij në teatër një qasje interpretative të veçantë, vetjake, vështirë të përsëritet sa i përket ojnave dhe përshtatjes. Individualiteti i tij u formësua më së tepërmi në kinematografi, posaçërisht në role të dyta e që njëmendësojnë tipa të veçantë, me një origjinalitet plastik dhe artikulues.Ka realizuar 32 role, ku spikat në filmat: “Kur zbardhi një ditë, 1970, (ballisti Sulo), “Malet me blerim mbuluar”, 1971, (Osmani), “Njeriu me top”, 1977, (Tosun Baçi), “Koncert në vitin 1936” (Tellalli), “Radiostacioni”, 1979, (Mete Aliu), “Dhe vjen një ditë, 1986, (dajë Alushi), “Përrallë nga e kaluara, 1987, (plaku i sertë), “Shkëlqim i përkohshëm”, 1988, (babai i Danes), ku ka fituar çmimin e dytë në Festivalin e Filmit, “I dashur armik”, 2005 (tregtari çifut) etj.Loja e tij përshkohet nga ndjenja e një humori të çlirët, spontan; është aktor që skicon karaktere të gjalla, tipa popullorë, origjinalë, me një prerje shpesh burleske, plastikisht i veçantë, me mimikë shprehëse, i mëvetësishëm e spontan në gjeste, me ndjenjën e kudogjendshme të ritmit të brendshëm dhe të vërtetësisë.Portreti dhe nuri komik, ojnat, të folurit tejet konkret e shpotitës, prania gjërazi e intonacioneve foljore të zhargonit të labërishtes, mënyra e sjelljes ndaj rolit, marrëdhëniet e natyrshme dhe përballë personazhit tjetër (shpesh si me “karshillëk”, e llojit “mburracak”), vërtetësia e komunikimit me partnerin në lojë, janë cilësi të tjera të vlerësuara të aktrimit te tij.B. Hasko ka gjithashtu një punë të gjerë si pedagog në përgatitjen e studentëve për aktorë duke inskenuar shumë etyde, fragmente, si dhe 18 vepra dramatike të plota. Më 13 nëntor 1989 i është dhënë titulli “Artist i merituar”. Më10 prill 1995, ka fituar titullin universitar “Profesor” dhe më vonë titullin “Mjeshter i madh”.

Marre nga aktoret shqiptar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Kastriot Malo-Nga ty njeri.

Arjana Fetahu Gaba-

Anila Toto-Mbaj në duar