Mehdi Malkaj. Aktor. Lindi në Memaliaj. Studimet e larta për aktor i mbaroi më 1983, në Institutin e Lartë të Arteve. Fill më pas u emërua aktor në Estradën Profesioniste të Ushtarit, deri më 1992, ku nisi punë në Estradën e Tiranës dhe më pas (1999-2002) në Publimedia dhe më pas në Teatrin Kombëtar.Shpejt u bë aktor i pëlqyer i humorit duke luajtur mbi 60 role në shfaqje të ndryshme variete, në komedi, në filma e telefilma. Aktrimi i tij bie në sy për përdorimin e elementeve të bufonadës, të burleskut, gjithashtu edhe për mbajtjen e një linje realiste, në të cilën fiton përparësi të sjellurit dhe përshtatshmëria ndaj tipit a karakterit që interpreton. U bë i njohur veçanërisht me rolin e xha Brahos në filmin televiziv me dy seri “Gjuetia e fundit” (1992-1993), ku portretizoi me sens të hollë humoristik fshatarin kinse “patriot e të lidhur me Partinë”, i cili vuante në mënyrë stoike varfërinë e tij të skajshme dhe që në fund bëhet, madje, viktimë e arbitraritetit të pushtetit.Akosi te komedia “Mashtruesit” e Ilir Bezhanit ishte një tjetër prerje komike origjinale e këtij aktori. Në vizatimin e personazheve M. Malkaj synon përzgjedhjen dhe karakterizimin me vërtetësi të tipave të larmishëm, situatës ku ata ndodhen; peëdor hollësi të shumta shprehëse, si dhe ngjyrime krahinore e popullore. Në Teatrin Kombëtar dhe projekte private (Publimedia, SHKA “Çajupi” etj.) ka realizuar figura të këndshme artistike, të planit komik, ku veçohen ato në shfaqjet: “Gënjeshtari”, “Kopshti me dallëndyshe”, “Darka e të marrëve”, “Ne katin e dytë ndodhet parajsa”, “Gomone”, “Pleshti në vesh”, “Burri i gruas sime”, “Fanku V” etj.

marre nga aktoret shqiptar