Michael Olise mund të shpërblehet shumë shpejt nga Bayern Munich me një kontratë të re dhe një rritje të ndjeshme të pagës, teksa interesimi nga Real Madrid dhe Liverpool po bëhet gjithnjë e më i fortë.
Sipas raportimit të Mirror, drejtuesit e kampionit gjerman nuk kanë asnjë synim ta shesin anësorin francez dhe po punojnë për ta siguruar të ardhmen e tij afatgjatë në “Allianz Arena”.
Olise ka qenë një nga futbollistët më të spikatur të Bayernit që nga transferimi i tij në Gjermani, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të vlerësuar në pozicionin e tij. Paraqitjet mbresëlënëse kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, me Real Madridin dhe Liverpoolin që po monitorojnë nga afër situatën e tij.
Megjithatë, Bayern dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se francezi konsiderohet pjesë kyçe e projektit të klubit për vitet e ardhshme. Një kontratë e re me kushte më të mira financiare pritet të jetë hapi i radhës për të larguar çdo dyshim rreth të ardhmes së 24-vjeçarit.
Nëse marrëveshja finalizohet, Olise do të shpërblehet për formën e shkëlqyer që ka treguar me fanellën e Bayernit, ndërsa bavarezët do të sigurojnë një nga talentet më të rëndësishme të futbollit evropian për një periudhë më të gjatë.
