Giuseppina Giudice është pedagoge e gjuhës dhe letërsisë angleze. Ka marrë çmime dhe vlerësime të rëndësishme për poezinë, ndër të cilat përmendim: çmim në RAI, medalje në Senatin (Romë), emërimin si “Akademike e Merituar” (Romë, 2003), Akademike Leopardiane (Reggio Calabria, 2011), çmim për karrierën në vitin 2010 (Pomigliano d’Arco), Çmim “Përmendje Grua Nderi” 2010 (Provinca e Salernos); Diploma de Excelentia (Mihăilești, Rumani, 2004), Çmimi Spoleto 2021, Çmimi Modigliani (2022). Është vlerësuar në Assisi (me rastin e Çmimit “Segni di Pace”, 2024). Është emëruar Akademike Nderi e Universum Academy Switzerland (2024) dhe me Çmimin “Universum Donna 2024” (Lugano).
Është vlerësuar në Menotti Art Festival të Spoleto-s (2025). Është anëtare e akredituar e Wiki Poesia dhe “Republika e Poetëve”. Ka botuar katër përmbledhje poetike, gjashtë romane, përmbledhje me tregime si dhe tre libra me histori e përralla. Ka qenë: finaliste në Çmimin letrar Pannunzio – Torino, 2016, finaliste në Casa Sanremo Writers me tregimin “Peter il pescatore – Peter peshkatari”, i botuar në një përmbledhje nga RaiLibri (2025). Është e pranishme në shumë media italiane dhe të huaja.
Shumë nga poezitë e saj janë përkthyer në gjuhë të ndryshme: spanjisht, indisht, anglisht, frëngjisht, shqip, polonisht, rumanisht, serbisht dhe janë botuar në shumë antologji italiane dhe të huaja, ndër të cilat përmendim: “Sentiment Latin” (Bukuresht, 2004); “Un grito por la paz” (Meksikë, 2019); Striving for Survival (Antologji OPA – Indi); “Bridges to Tomorrow”; “Farewell to War”; “Justice”; “Panta REI” (antologji dygjuhëshe italisht-polonisht, 2025); “Penat italiane” (Tiranë, 2025); “Vibrations Litteraires”; “Voci versate” (Shtëpia Botuese Pagine, 2018); “Contributi per la Storia della letteratura italiana” vol. 4 (G. Miano Editore, Milano, 2009); “M’illumino d’immenso” (Pagine); “Antologia di poeti contemporanei scelti” (Universiteti i Republikës së San Marinos – Univ. Anglo Cattolica S. Paolo); Speciale Infanzia – M.A.R.E.L (2020–2025); Speciale Donna (2021–2025, M.A.R.E.L); Catalogo Spoleto Arte 2021; Enciclopedia dei Poeti contemporanei, vëll. 3 (2021, ed. Billeci); Gems IV dhe Gems VIII, antologji poezie vizuale dhe arti (Indi); Catalogo Premio Modigliani 2023; “Vibrazioni Letterarie” (italisht dhe frëngjisht, 2022 – prezantuar në Paris dhe Romë); antologjia “Precipitare nelle stelle” vëll. I, II dhe III (2023, 2024, 2025 – Bosnje-Hercegovinë); revista BezKres (Poloni); antologjia “I luoghi della memoria” (2023, Bertoni Editore); antologjia “Lo Specchio” (2023, prezente në Panairin e Librit në Torino, Bertoni Editore); “Agenda poetica 2024” (nën kujdesin e Bruno Mohorovich, Bertoni Editore); antologjia “Diversità fa rima con unicità” (Shtëpia Botuese Atile); “Fieramente” (Atile, 2024, prezantuar në Panairin e Librit në Torino, 2024).
Ka marrë pjesë në Festivalin “Pero Živodraga Živkrovića” nga viti 2020 deri në 2025. Është e pranishme në Contemporary Italian Poetry (OPA, shkurt 2025) dhe në disa revista të botuara në Kosovë: Orfeu.al dhe “Ciceroni, (ATUNIS – Belgjikë, si dhe në Gazeta Destinacioni.
Ka qenë anëtare jurie në konkurse letrare dhe ka bashkëpunuar me “Il Cilento Nuovo”, si dhe me revistën kulturore “Il Saggio”.
SI PETALE TRËNDAFILI
Si petalet e një trëndafili të cunguar,
bien ëndrrat tona të papjekura,
të prera nga bisturia e mprehtë
e kohës së skaduar.
Sytë ngjizur nga dhimbja,
si ujë i pastër burimi,
rrëke të bollshme gjenerojnë,
mbi tokën e thatë, larg detit,
ku dallga shkumuese
në rërë përhumbet.
Dhe varka e braktisur
ka ngecur…
U HUMBA…
U humba
në ecejaken e trazuar
të mendimit,
midis kujtimeve të dashura, antike,
shoqërues të përzemërt udhëtimi.
Lot të hidhur, përvëlues
çlirojnë mjegullën
që herë pas here
më errëson shikimin.
Sorollatem nëpër rrugicat e errëta
të një zemre të copëtuar,
pa shandanë.
Më kot kërkoj daljen.
Është labirint i ndërlikuar,
një strehë e rehatshme e shpirtit.
Ulem të shplodhem,
me vetëdije, e burgosur,
jo më me harta
e as me dëshirën, më për të ikur!
STUHIRA LUFTE
Në toka të largëta
prej kohësh ajri nuk shpie më
aromat e majit të këndshëm,
as fragrancat, parfumet e verës,
teksa fryjnë stuhira lufte,
të pamëshirshme, kërcënuese, shkatërrimtare.
Dhe gjymtojnë diellin, dashurinë, përdëllimin,
mëshirën hyjnore dhe logjikën.
Paqja është një mirazh i largët.
Mandolina, violina dhe harpa,
pa Jubalin dhe Orfeun,
në pemën e lashtë të ullirit janë varur,
i çarë më dysh
nga bombat e një avioni vrasës.
Dhe ka sy të shuar,
për të mos parë më rrënim dhe vdekje,
veshë të shurdhër
për të mos dëgjuar vajtimin pa fund,
klithjen e dhimbjes.
Ka zemër dhe shpirt për t’u lutur,
për të dashuruar,
e të dëshirojë paqen në një botë më të mirë!
Përktheu: Angela Kosta
