Ti je muzika ime e trishtë,
që më ndjek në çdo vetmi,
një tingull që vjen i shpeshtë,
që jehon në veshët e mi.
Ti je koha ime e humbur,
që unë për ty e sakrifikova,
je një botë gjysmëshembur,
që të bukur e planifikova.
Ti je gjysëmgabimi i jetës,
që unë s’munda ta ndreqja,
ti që shihesh si ndërmjetës,
dhe largon fajet nga vetvetja.
Ti je e shkuara ime e tashme,
që vjen rrëmujshëm në ndjenja,
ti që planet i ke mbrapshme,
të rritesh nuk ke shenja…
