Ti je e çmendun, m’tha nën za.
Je e krisun.
Je jashtëtokësore.
Je ajo furtunë
që edhe detit ia mëson frikën.
Ndërsa unë pushtoja heshtjen
pa thanë asnji fjalë…
Ti më ke hy n’gjak.
Më ke hy n’mendje.
Më ke zaptu zemrën
si drita që hyn n’dritare
dhe ia thyen xhamat,
pasqyrat ma të thellit gjumë.
Je grue magjistricë.
Prej teje mëson dhe Circja.
Me nji shikim
Mi shemb bedenat e burrnisë.
S’e di pse bota jeme
mbytet n’nji gotë ujë
sa herë jena larg.
Grue e çmendun…
Veç ti e din
me e ulë stuhin
që vetë ma ke zgjue.
E nëse kjo asht marrëzi,
atëherë mos m’shëro.
Lermë me u humbë
te e vetmja çmenduni
ku shpirti s’lyp shpëtim.
