Wednesday, April 2, 2025
BallinaVitrina e libritNeviana Shehi-FQINJA JOTE E DRITARES

Neviana Shehi-FQINJA JOTE E DRITARES

Sot të ndalohet me çdo kusht të jesh prozaike
më tha pema dhe mbylli degët
kur më pa të mërzitur

A nuk i sheh gjethet që këndojnë
dhe milingonat që i tregojnë përralla
njëra tjetrës me zëra të hollë

Lulëkuqet që do çelin në qershor
që tani janë futur mes grunjërave
duke ua përskuqur faqet

Ky është një çast ku lejohet vetëm të vallëzosh
dhe të na marrësh për dore
të nuhasësh aromën e frutave brenda nesh
dhe të netëve me hënë
ku dalin shpesh shtojzovalle
me fustane të përndritur

Ato dalin gjithmonë për të vallëzuar
dhe joshur djem me nishane blu
për t’i marrë me vete përtej shtatë qiejve
dhe shtatë anijeve me vela të zinj

Ti mos ke frikë se nuk të marrin
ti je e bukur si ato dhe ju dhimbsesh
sot të ndalohet të jesh serioze Nevi
të rrish gojë mbyllur dhe psherëtish

Është çasti kur dy hëna takohen
njëra me tjetrën
dhe zënë të bisedojnë
për ekuinoksin e pranverës
është e magjishme biseda e tyre
por ti mund ta dëgjosh

Nëse ndjen brenda vetes
ndonjë magjepsje të përkohshme
për të shkuar drejt tyre
mos lëviz
se rruga gjer atje është e gjatë
dhe ka të papritura

Fillo t’ia recitosh vetes poezinë
e sapo përfunduar
edhe pse vetëm fqinja jote e dritares – pema
do të të duartrokasë

Stinës që është në muajin e tetë të shtatzënisë
nuk i pëlqen prozaizmi

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT