Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritPetrit Ruka-Nena Foto nuk ka

Petrit Ruka-Nena Foto nuk ka

Nëna foto nuk ka veç të pasaportës

që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal.

Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin

për robërit e tij

deri lart në mal…

Ja të rris dhe këtë fëmijë

unë e mjera,

Sa t’i ndërroj këto këpucë të vjetra.

Fotografi nuk kaloi më kurrë asaj ane

Qyteti më tej katër kilometra.

Kur më rriti mua, të gjashtin, rrudhat

i kishin zbritur hartën e Shqipërisë

nga balli tek mjekra,

po ajo nuk qau që unë të mos e shihja;

“Ç’e dua një foto tani…. Unë e zeza?!”

E u nis një ditë pa foto për Andej,

ku nuk bëhen dot shkrepje

në errësirën e Hadit.

Dhe unë u bëra kineast, që tallja të fekste,

ta filmoja të plotë ironinë e fatit…

Mijëra foto në jetë i bëri Vjosa e kaltër

dhe kroi i fshatit

të bukurës sime,

po unë si t’i mbledh, se ato shkuan në det,

i bëri kripa e lotit cipë e thërrime…

Një aparat dymijë euro

tani mbaj në studio

dhe netëve kur dremis, besoj si i marrë,

mos më shfaqet në ëndërr e i bëj një foto

një foto nga ato që bota s’ka parë…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT