Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poeten Lulëzime Malaj

Çaste poetike me poeten Lulëzime Malaj

Shpresa

Iku shpresa dhe më braktisi një ditë,

Dola në breg dhe e pashë që larg,

Tek më tundte dorën tej në perëndim,

Dhe shkrihej së qeshuri në një varkë!

Më hipi gjaku në kokë, natyrisht, mora

Dhe unë varkë dhe e ndoqa nga pas!

Nëpër stuhi e diellin që digjte zjarr,

Sa herë u dogja, sa herë ujrave rash’!

Puthje, më dërgonte nga Antarktida,

Me zarfet e erës, faqet i digjnin acar,

Ajo më niste puthje të nxehta lilipute,

Edhe puthje Saharaje që digjnin zjarr!

Sa herë rashë, aq herë dhe u ngrita!

Ajo në Sahara ish fshehur nga inati,

Ku vdekja qefinin bukur ma kish qepur,

Me humbje e trishtim krejt më spërkati!

Më në fund, vendosa të dorëzohem,

Dhe shpresën ta shpallja të humbur,

Por nuk ia dola dot, sërish e kërkova,

Dhe e gjeta në një kishë duke u lutur!

Iku shpresa një ditë pa më lënë adresën,

Dhe lutej për mua; Zot, ndriçoja shpresën!

Dy të dashuruar

Në një park krejt të bleruar,

Ata dy, takoheshin nën një qershi,

Për karshi një neon me kapel’

Iu buzëqeshte ngrohtë, si zotëri!

Po pas ca kohe nuk i pash më,

Në pemë mbetën vetëm inicialet,

Neoni e ka humb’ kapelën,

Syri si spazmë – ndizet e falet!

Dhe pema ka vite që s’bleron,

Ndoshta, ndaj rri e pikëlluar;

Ëndërron t’i çel sërish petalet ,

Kur t’i shoh ata dy të dashuruar!

Brenga

Në qiej kristal, ku befas shtyhen retë,

Mëngjesit ku bora gjithkund kish rënë,

Një brengë, u shtri gjerë e gjatë tek unë,

Dhe s’ikën dot, se shtigjet i ka zënë!

Më mashtroi dhe u fut nga një shteg,

Po, sidomos natën, ajo s’më lë të flë,

Shëtit e shkujdesur nëpër parqe,

Dhe kënaqet që mua të qetë s’më lë!

Kur sapo lind dielli të më buzëqesh,

Ajo më mbështjell krejt me farmak,

S’e ndryshon aspak mendimin ,

Sikur të ik nga unë, veç, sadopak!

Unë asaj, asgjë të keqe s’i kam bërë,

S’di pse s’do të më shohë të lumtur,

Unë bëj ta zboj, ajo s’më bindet,

Që në fillim më duket lojë e humbur!

Që nesër do ta zhduk në ndonjë hon,

Pa kthyer kokën, pa kthim do ik,

T’i fsheh dhe udhët që të mos më gjej,

Dhe peng t’i mbetet ai çast tragjik!

Aq më lodhi, sa e lashë fare mënjanë,

Dhe u mora pastaj, krejt me gëzimin,

Për çudi, ajo, se nga u fsheh a u zhduk,

Ndoshta u zemërua, se pa rivalin!?

——————————————

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT