Në disa raste, klubet nuk arrijnë të përmbushin detyrimet financiare ndaj futbollistëve duke mos i paguar ata ashtu siç parashikohet në kontratën mes palëve, e për këtë shtëpia më e madhe e futbollit ka menduar tani më.
Mund të ketë ndodhur që klubi të ketë falimentuar dhe në këtë formë, FIFA ka menduar që lojtarët të mos mbeten duarbosh në një çështje e cila nuk ka të bëjë me ta dhe nuk ka përse të ndikojë ekonomikisht në “xhepat” e tyre.
Ndaj, së fundmi FIFA ka gati një fond prej 16 milionë dollar, i cili do të vendoset në dispozicion pikërisht për lojtarët e mbetur në udhëkryq dhe të papaguar nga klubet respektive.
Pritet që rreth 140 futbollistë të përfitojnë nga kjo nismë e FIFA-s, ndërsa kjo “krijesë” e FIFA është tashmë ekzistenciale prej vitit 2020.
Shtëpia e futbollit botëror po ashtu është duke punuar që të ndryshojë edhe disa rregulla në futbollin botëror, duke tentuar ta bëjnë edhe më joshës për t’u shikuar.
Këto ndryshime janë duke u bërë po ashtu në koordinim me UEFA-n dhe gjatë kësaj vere disa prej tyre do të futen në fuqi.