Unë e di do më duash dhe nesër…
Vetëm se duhet të tregohesh
i kujdesshëm,
Unë mund të jem kthyer në zog,
në mijëra cicërima,
si do mundesh të dallosh zërin tim?!
Ose mund të jem bërë lule,
petalet e brishta prishen
lehtë nga pakujdesia.
Unë e di që do më duash dhe nesër…
Vetëm se të duhet pak kujdes,
mund të jem kthyer në erë
dhe fryj në vende larg prej këtej,
ose mund të jem kthyer
në re vjeshte dhe ti duhet të presësh shiun
të më takosh.
Unë e di që do më duash dhe nesër…
Po të duhet kujdes,
unë mund të jem kthyer në kujtim
dhe ti duhet të hapësh zemrën,
të më nxjerrësh prej aty,
ose do jem bërë mendim
dhe mendimet ti i ke të shenjta.
Unë e di që do më duash dhe nesër…
POEZIA E TË DIELËS
Është e diel,
mos u ngrit herët sot!
– Oh, më duhet të ujit lulet…
– I ujita! Ka çelur
karafili i kuq, të ngjan ty!
-Po bëj kafenë atëherë…
– E bëra, mendova ta pijmë
bashkë këtë mëngjes.
Edhe thërrimet e mbetura
nga mbrëmë ua hodha
zogjve, se ti kështu bën,
përndryshe, përse ata
do të vinin në dritare?!
– Mos më llasto, të lutem,
nuk jam fëmijë!
– Dakort, po dua të rrish
dua të qëndrosh gjatë,
të qëndrosh me mua,
të qëndrosh edhe pas ikjes sime…
Se ti e di shpirt…
Unë nuk di të jetoj
pa ty!
Atje po qajnë nëna, Bir!
E unë nuk mundem dot
T’ua fshij lotët të gjithave.
Atje po qajnë foshnja, Bir!
E gjiri im i tharë nuk u shuan
dot urinë të gjithëve.
Unë jam veç një nënë
Edhe ti je vetëm një
Po të dyja jemi më shumë se bashkë
Se do vijnë dhe të tjera
Të përkundim djepet e paqes.
Unë kam një emër Bir!
Po për botën jam anonime
Edhe ti ke emër bir,
Po në kohë lufte
Jemi të gjithë anonimë
Mos më shih trishtuar Bir
Unë jam vërtet veç një nënë
Po kam fuqinë të fshij
Lotët e gjithë fëmijëve
Që nënat ju vranë në luftë
Dhe nënat e tjera dinë, Bir…
Dhe kur jemi bashkë
Bëhemi shumë, Bir…