Justina Aliaj (1951 ). Aktore, këngëtare. Lindi në Shkodër. Studioi për aktore në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1972, ndërsa diplomën e mbrojti më 1985. Qysh studente luajti rolin kryesor në dramën “Një shok i klasës sonë” të Kujtim Spahivoglit, më 1972, dhe më pas edhe në dramat “Shkallët”, “Rrënjët”, “Të pamposhturit”.Justina Aliaj punoi si aktore në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, deri më 1992, kur emigroi jashtë vendit. Luajti aty shumë role, si në pjesët “Djem të mbarë” e Fadil Krajës, “Lindje në shtrëngatë” e Serafin Fankos, “Vizitë e inspektorit” e Xhon Pristlit, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” sipas romanit të Ismail Kadaresë etj.Justina Aliaj ka interpretuar edhe në disa filma, por spikati te “Rrethi i kujtesës” në rolin e kujdestares së grave të internuara. Si këngëtare, ajo ka interpretuar këngët: “Mall për vendlindjen”, “Interesant”, “Ne të dy”, si dhe shumë këngë popullore qytetare shkodrane. Tërhoqi vëmendjen me interpretimet e saj të çlirëta dhe dinamikën e mënyrës së të kënduarit, e cila erdhi si rrjedhojë e prirjeve bashkëkohore që u vu re në muzikën e lehtë shqiptare në fillim të viteve ’70.

Burimi i lajmit Aktoret shqiptar