Nuk e shihje shkretëtirën pa kufi
O njeri!
Nuk e dije që do të vije në jetë,
Dhe kur do ikësh kurrë nuk do ta dish,
Nuk të treguan asnjë gjë të vërtetë,
Kjo botë, fund e krye, mashtrimin kish.
Mjerë ti!
Rrugën që ke shkelur nuk e zgjodhe vetë,
Për asnjë çast nuk jetove në liri,
Nuk e binde kurrë shpirtin tënd të shkretë,
E le të përplasej në pasiguri.
Në vetmi!
Mposhte dallgët në të thellin oqean,
Tejane ku hapej humnera lubi,
U grinde përgjakshëm me fatin shtrigan,
Me thonj e dhëmbë gjete bregun e ri.
Në rini!
Ti ëndërove veç oaze hyjnore,
Nuk e shihje shkretëtirën pa kufi,
Yshtur mbrëmjes nga shpërthimet pranverore,
Ngjisje shkallët në të tjera yllësi.
Me qiri!
Shpresës mjegull i ndriçove rrugëtimin,
Nëpër netë e ndoqe pas si fanar,
Pa i shpërfille mëdyshjen dhe mashtrimin,
Shpirti yt i çiltër nuk u bë tregtar.
Sa çudi!
Ca udhëkryqe pritnin rrugën diku,
Udhëkryqe të shpërndara nëpër terr,
U ende trubull, si erërat, ashtu,
Me gjakun e ftohur, me shpresën e thyer.
Ece ti!
Rrotull teje qindra udhëkryqe fati,
Rrugë që nisnin, po humbisnin diku,
Vrapove nxitur nga brebga, nga inati,
Kohë të tëra u ende kuturu.
Ish ai !
Dhe dëgjoje zëra gati në të shuar,
Të ftonin ata t’i ndiqje nëpër natë,
Zotër udhëkryqi, djajtë e mallkuar,
Ta rrëmbyen shpirtin, peng ta mbajtën gjatë..
Fli tani!
Ishe vetja ti, jetove ndonjë ditë?
Zhytur n’urrejtje, edhe Zotin mallkove,
As ditët me diell nuk të dhanë dritë,
Të gënjeu jeta dhe ti u harrove.
