TOPONIMET E VENDLINDJES
Dikush emërtoi një rrugë me dëshirën e tij
Nuk pyeti për mbledhje e vendime pleqësie,
Me atë emër vjen me shekuj si për çudi
Si të kish një emër përkëdhelës fëmije.
Një tjetër emërtoi si deshi një arë
Ashtu gjithë jetën emri i ngeli,
Askush se foli keq qoftë dhe një fjalë
Për atë emër që nga shekujt erdhi.
Dikush ndërtoi një krua të thjeshtë
Që rrugëtarët të pijnë a të freskojnë ballin,
Një tjetër anës rrugës mbolli një pemë
Të pushonin nën hije dhe kokrrat të hanin.
Të tjerë emërtuan pyje, përrenj e liqene
Male, kodra, kala, fshat e qytet,
Ju vunë emra të bukur si të ishin njerëz
Dhe kurrë s’menduan tu vënë emrin e vet.
E emërtuan çdo pëllëmbë të vendlindjes time
Pothuajse gjithçka sot është një toponim,
Bekuar qoftë në jetë të jetëve
Ai që vendlindjen ma quajti Kurbin.
Poezi nga Imer Hysa